Gjilan: Arrestohet një person, i konfiskohen mbi 100 mijë euro që dyshohet të jenë të falsifikuara
Një person është arrestuar të hënën, më datë 09 dhjetor 2024, në Gjilan nën dyshimin ‘për kryerje të veprave: falsifikim i parasë e pastrim i parasë’.
Policia e Kosovës ka njoftuar se është ndaluar automjeti me targa vendore, të cilin ishte duke e drejtuar i dyshuari – ku janë gjetur e konfiskuar 105 mijë euro
Për të njëjtat, Policia ka bërë të ditur se ekziston dyshimi se janë para të falsifikuara.
“Në lidhje me rastin është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, ku është gjetur makina për numërimin e parave. Në këtë rast, në total janë sekuestruar provat si, në vijim: 100,000.00 euro kartëmonedha, nga 200 euro; 5000.00 euro kartëmonedha, nga 100 euro; 1 makinë për numërimin e parave, 3 telefona celularë.” – thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, me vendimin e prokurorit, i dyshuari i lartcekur dërgohet në mbajtje për 48 orë – nën dyshimin ‘për kryerje të veprave: falsifikim i parasë e pastrim i parasë’.