Gërvalla: Reformimi i sistemit të drejtësisë është i panegociueshëm
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka pritur të martën në një takim kortezie Përfaqësuesin Rezident të Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.
Gërvalla bëri të ditur se në takim është zhvilluar një diskutim përmbajtësor rreth prioriteteve strategjike dhe drejtimit konkret të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Sipas saj, në fokus të bisedës ishin avancimi i reformës në drejtësi, forcimi i mekanizmave kundër korrupsionit, garantimi i qasjes së barabartë në drejtësi për çdo qytetar, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë, ligji për Byronë, konsolidimi i mekanizmave të llogaridhënies si dhe adresimi efektiv i dhunës në familje.
“Këto politika kërkojnë vullnet politik, por edhe kapacitete të qëndrueshme dhe ekspertizë teknike”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Ajo ka theksuar se bashkëpunimi me UNDP-në konsiderohet instrument i rëndësishëm për mbështetje teknike, zhvillim të kapaciteteve dhe harmonizim të reformave me standardet ndërkombëtare.
Ministrja ka nënvizuar se objektivi i institucioneve mbetet ndërtimi i politikave që prodhojnë rezultate të matshme, institucione që funksionojnë me integritet dhe një sistem drejtësie që gëzon besimin e qytetarëve, duke shtuar se Republika e Kosovës është e përkushtuar për thellimin e partneriteteve që kontribuojnë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe përshpejtimin e reformave me ndikim real.
