Fest Flaka 2023 – Abnormaliteti i normëzuar
Në Festivalin Mbarëkombëtar të Interpretuesve të Këngës Popullore, shpërblehet me Vendin e Parë (do të duhej të shkruhej, “Çmimin e Parë”), kënga e Vaçe Zelës, nga zhanri i muzikës së lehtë, “Rrisim jetën tonë”, në interpretim të këngëtares Greta Azizi. Në këtë rast asnjë faj nuk i shkon Gretës, por organizatorit.
Shkruan: Mehmetali Arifi, muzikolog
Në dëgjimet publike për riorganizimin e ”Flakës… “, ku ishin të pranishëm kryetari z. Alban Hyseni, si dhe drejtori i DKRS-së z. Kushtrim Zeqiri, e kisha adresuar si shqetësim këtë dukuri, që bie ndesh me rregulloren dhe kriteret e festivalit, i cili është i profilizuar prej kohësh, për interpretuesit e këngës popullore.
Si zgjidhje, pata propozuar mbajtjen e një mbrëmje të veçantë për muzikën e lehtë dhe një mbrëmje të folklorit, (“Folk Flaka”), e cila është organizuar për disa vite rresht.
Propozimet nuk u përfillen, ranë në vesh të shurdhët dhe si rrjedhojë kemi këtë skandal në shkallë alarmante, ku nuk nxiten, por periferizohen deri në përbuzje interpretuesit e muzikës popullore.
Në po atë debat publik, në gjuhën e bukur shqipe, pata sugjeruar, në bazë të përvojës sime 25-vjeçare në organizim të “Fest Flakës”, që të jenë së paku dy ditë për prova me zërim, para mbrëmjes finale dhe si zgjidhje propozova që “Xixat e Flakës” të mbahen më datë 11 janar kur edhe bëhet hapja simbolike e “Flakës” dhe, si për inat, vendoset të ngjeshen datat: më 29 janar “Xixat…” e më 30 janar “Fest Flaka”.
Për pasojë, gati gjysma e programit shoqërohet me një zhurmë të pakëndshme që vinte nga basi i baterive elektronike. Faji nuk është në këtë rast as i instrumentistit, as i operatorit të zërimit, por i organizatorit që ka pranuar të bëj festival pa provë gjenerale. Kjo ska ndodhur kurr më parë.
Nuk mund të mos i përmend edhe dy mangësi të pakompenzueshme të këtij edicioni: nuk kishte përfaqësim nga të gjitha trevat shqiptare, mungonte përfaqësimi nga Shqipëria e nga Mali i Zi si dhe nuk kishte sponsor medial.
Këto fakte skandaloze, nuk janë të vetmet, por ishin të mjaftueshme për të eklipsuar edicionin e 32-të të “Fest Flaka 2023”.
Përplasjet ideore konceptuale pwrbrenda komunitetit muzikor, nuk janë si përplasjet fizike, me fitu kush i ka muskujt më të fortë, por janë përballlje e forcës së argumentit, e jo argumentit të forcës. Për ata që s’e dijnë, ose e kanë harruar, po e përsërisë: Për 24 vjet me radhë, deri më 2014, shto edhe vitin e kaluar që bëjmë rrafsh 25 vite, formacioni orkestral dhe unë si drejtues në “Fest Flaka” nuk kemi lejuar të futen bateritë elektronike dhe as piano elektronike në trajtimin e muzikës tradicionale.
Për efekt argumenti kemi përdorur dy referenca logjike: Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve – Tiranë dhe Ansablin Shtetëror të Këngëve e Valleve “Shota”- Prishtinë.
Pse këto dy ansamble reprezentative kurrë nuk i përdorin këto instrumente, nuk kanë para për t’i blerë, apo si është halli?! Pra është e qartë, kemi të bëjmë me normëzim të abnormalitetit!
Thirrjet Publike për “Fest Flaka”, shkeljet dhe mosrespektimi i procedurave ligjore, OJQ-ja përfituese e “Fest Flaka 2023” ishte në shkelje të kritereve dhe procedurave ligjore të thirrjes publike për financimin publik të OJQ-ve.
Pse?
Që në Thirrjen e Parë Publike për “Fest Flaka 2023” kishin aplikuar pesë OJQ, në mesin e tyre edhe trupa artistike muzikore, por jo OJQ-ja që më vonë do të shpallej fituese. Ajo nuk kishte aplikuar as në rishpalljen e dytë të thirrjes publike. Përkujtojmë me këtë rast se rishpalljet nuk bëheshin për mungesë të konkurimit të OJQ-ve për organizimin e “Fest Flaka”, por për mungesa në shtylla të tjera.
Tek në rishpalljen e tretë të thirrjes publike, kjo OJQ aplikoi për herë të parë dhe komisioni vlerësues në shpalljet preliminare, çuditërisht e nxjerrë fitues.
Komisioni vlerësues pesë-anëtarësh nuk ka pasur në përbërjen e vet as edhe një profesionist të fushës së muzikës. Me gjithë faktin se një profesionist kishte aplikuar për këtë komision, atij i është fshehur aplikacioni dhe nuk është ftuar fare.
Tani, këtu kemi të bëjmë me dy shkelje drastike:
- Komisioni nuk ka kompetencë vlerësuese për vlerat muzikore.
- Profesionistit që ka aplikuar i është fshehur qëllimshëm aplikacioni.
Të alarmuar nga këto shkelje procedurale, tri nga pesë OJQ-të konkuruese ankohen, secila veç e veç dhe të trija me një ankesë të përbashkët drejtuar komisionit për ankesa.
Komisioni i Ankesave në përbërje: 1. Sadri Arifi, kryesues; 2. Destan Maloku, anëtar dhe 3. Adnan Hoxha, anëtar, i refuzon si të pabazuara ankesat tona.
Në arsyetimin e Komisionit për refuzimin e projektit të Trupës Artistike Muzikore, ndër të tjera thuhet: “Komisioni i ankesave pas administrimit të prova materiale…, bazuar në shkresat e lëndës ka konstatuar se projekti i juaj me titull “Fest Flaka 2023″, është vlerësuar në mënyrë meritore nga komisioni vlerësues por, nuk është përkrahur ngase projekti nuk përmbanë ndonjë risi dhe se nuk posedon kapacitet të mjatueshëm për realizimin e projektit, përderisa projekti fitues ka një program të pasur dhe është me përvojë të gjatë artistike”.
Faktet janë këto: Trupa Artistike Muzikore është një komunitet elitar me potencial dhe kapacitete profesionale për t’i trajtuar vlerat identitare muzikore, dhe unë Mehmetali Arifi si drejtues i kësaj trupe për 25 vite kemi bartur suksesshëm barrën e organizimit të “Fest Flaka”, ndërsa OJQ-ja fituese ka gjithsej vetëm 7 vite përvojë në këtë organizim, me mangësi të theksuara të kapaciteteve profesionale.
Tani që u mbajtë “Fest Flaka 2023”, shtrohet pyetja logjike: “Cilat na qenkan ato risi që i solli OJQ-ja fituese?!”
Ndoshta, risi është që 14 nga 18 këngët e interpretuara, janë të stërkënduara në “Fest Flaka” ndër vite?! Apo, risi na qenka që nuk kemi të ftuar asnjë pëfaqësues nga Shqipëria dhe as nga Mali i Zi?! Ndoshta, risi na qenka mungesa e sponsorit medial?! Apo, risia më e madhe na qenka kur në Festivalin e Muzikës Popullore, fiton Çmimin e Parë kënga nga zhanri i muzikës së lehtë “Rrisim jetën tonë”, këngë e Vaçe Zelës?!
Eh, po ky është kulmi!!! Nuk kam çka të shtojë më tepër.