E rëndë | 12-vjeçari godet me sëpatë babanë në Gjilan – rasti cilësohet “Vrasje e rëndë në tentativë”
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Ponesh të Gjilanit, ku një fëmijë 12-vjeçar dyshohet se ka goditur me sëpatë babanë e tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Ngjarja është raportuar më 20.02.2026 rreth orës 19:30, pasi nga Spitali Rajonal është njoftuar policia se një person është sjellë me urgjencë për trajtim mjekësor.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se viktima, M. T., rreth 58-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e goditjes me sëpatë nga djali i tij, S.T., rreth 11-vjeçar, i mitur.
Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, viktima pas trajtimit fillestar është transportuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda, krim-teknika dhe përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale. Hetuesit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, përfshirë intervistimin e dëshmitarëve dhe mbledhjen e provave materiale.
Punëtori social ka realizuar vlerësimin fillestar të fëmijës, ku është konstatuar nevoja emergjente për strehim, për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike dhe situatës traumatike të krijuar nga ngjarja.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar të krimeve të rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat që çuan deri tek kjo ngjarje e rëndë familjare.
Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të ri.
