E mira dhe e keqja si përmbajtje e të vërtetës që nyjëzohen te njeriu
Me shkas: për shfaqjen “Nyjat” e Teatrit Shqiptar, Shkup, Maqedonia e Veriut e cila u vlerësua me tre çmime në Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” mbajtur në Tiranë
Shkruan: Agron Gërguri
Skena totale. Në secilën hapësirë krijohet një punkt veprimi. Jeta rrjedhë dhe personazhet pikëtakohen në problem apo probleme të shumështresuara, marrëdhënie që trajtojnë natyra njerëzore në kërkim të vërtetës që e kanë aty te vetja… janë çështje të cilat i trajton shfaqja “Nyjat” e Refet Abazit në regji të Kushtrim Bekteshit.
Regjisurë autoriale
Regjisura e Kushtrim Bekteshit në dukje me veprime të mëdha por e detajuar deri në kapilarët e marrëdhënieve midis personazheve dhe atyre në raport me veten. Përdorimi funksional i të gjithë përbërësve teatror deri te punëtorët e skenës të cilët aq sa kryejnë veprime shërbyese në ndërrimin funksional të skenave po aq bëhen pjesë e ambientit në të cilin zhvillohet ngjarja.
Regjisori me organizim filigran të mizanskenës zbërthen domethënëshëm secilën situatë duke organizuar me masë pjesën e veprimeve foljore dhe atyre fizike, edhe pse në disa skena sikur regjisura i jep përparësi tekstit por assesi nuk është inferiore ndaj tij përkundrazi operimi brenda tij është tejet thënës si lexim regjisorial inteligjent. Të gjitha elementet e organizimit skenik të shfaqjes regjisori Bekteshi i kishte harmonizuar pajtueshëm me idenë e shfaqjes. Ndoshta zgjedhja e vetme demiurge, që provokimin skenik dhe vëmendësimin e problemeve që trajton disi e amortizon, ishte fundi gëzueshëm, zgjidhja e nyjës përmes bashkimit familjar me fëmiun e gëzuar në qendër duket e imponuar sado që si fotografi e dëshiruar dhe si mesazh është i fuqishëm deri në lot porse në aspektin dramatik dhe të vazhdimësisë së dramës si proces që rrjedhë nuk i përgjigjet hapësirës së përmbushur të shqetësimit të cilin e ushqen gjatë zhvillimit të rrëfimit, sidomos tek marrëdhënia burrë grua që më duket i ngjashëm si marrëdhënia tek “Zonja Bovari” pavarësisht a është kjo zgjidhje e autorit të tekstit apo është zgjidhje regjisoriale.
Bashkimi i gëzuar familjar bëhet thuaja i pamundur kur çështja e ndasisë shkon aq larg sa edhe vetë Floberi nuk e shpëtonte dot nga vdekja personazhin si pasojë e katandisjes së marrëdhënies me jetën të zonjës Bovari.
Impresiv dhe provokativ si ndërtim skenik ishte komunikimi diabolik dhe i krahasueshëm brenda skenave të shfaqjes dhe pastaj tutje me spektatorin me një dinamikë dhe temporitëm të aranzhuar mirë që zbërthente kodin e leximit të shfaqjes.
Në raport me titullin e shfaqjes Kushtrim Bekteshi i zgjidh nyjat regjisoriale tejet kreativisht duke u krijuar aktorëve një ambient ku ata më lehtë i zhvillojnë veprimet në përpjekjet për të zgjidhur nyjat problemore të raportit të njeriut me të keqen brenda e jashtë tij.
Tekst dramatik shumështresor
Teksti dramatik përkatësisht shfaqja kap jetën e njeriut në shumë plane e dimensione që manifestohen si marrëdhënie me moshën, ambientin, dashurinë, seksin, shfrenimin narkotik, dhunën, raporti i njeriut me pushtetin, deri te marrëdhënia esenciale e njeriut me vetveten në kërkim të mirësisë dhe dashurisë, thjeshtë zhbirilon kuptimin apo kuptimet e jetës.
Të gjitha këto autori i dramës i trajton me thellësi dramatike deri në gjenezë edhe pse nganjëherë me pretendime moralo filozofike që do të thotë dialogu bëhet qëndrim e jo proces për të arritur një qëllim. Megjithatë esenca e trajtimit të të mirës dhe të keqes duke e qëruar të vërteten nga gëzhoja e gënjeshtrës si një iminencë e ekzistencës njerëzore apo asaj që ne e identifikojmë si thelbi i mirësisë të cilën e zgjidh njeriu në raport me vetveten që të jetoj me të. E tëra ngrihet në koncept filozofik mbi jetën, kuptimet e saj për të zbritur pastaj në psikologji tek ndjenjat dhe emocionet, empatia si shenja të identitet njerëzor të cilat po stërkeqen. Dramë e ndërtuar mbi dialogë dramatik e ushqyer me konflikte brenda dhe jashtë njeriut në kërkim të identitetit të s’vërtetës e cila po përdoret si ambalazh politik për gënjeshtrën.
Fatmirësisht bashkëpunimi regjisor autor në nivel të idesë së shfaqjes “Nyjat” formulohet me idioma teatrore të realizuara me finesë e të cilat pastaj integrohen në mesazhin e vulosur skenikisht i cili na thotë se jeta është kjo, e bukur edhe në të këqijat e saj.
Aktrimi
Pa mëdyshje figura shtyllë edhe pse pak i ngarkuar me moral të pastër mirësie, ishte personazhi të cilin e interpretoi Adem Karaga, sikur ajo thellësia e timbrit të tij prekte të dëshiruarën e autorit dhe regjisorit. Pa ndonjë veprim të madh por me ecje të kujdesshme thuaja natyraliste nëpër partiturën e personazhit Ademi bënë një kreacion artistik duke na e zbërthyer marrëdhënien e njeriut të thjeshtë, raportin me të tjerët për të vërteten e cila bëhet e reflektueshme si mirësi e dashuri njerëzore. Rol i realizuar plotësisht sa me veprime foljore aq edhe me ato fizike. Si një lypsar në kërkim të mirësisë njerëzore ai në fakt është vetë mirësia dhe dashuria me të cilën reflekton duke nxjerr virtyte të larta morale me mënyrën e të jetuarit thyen stereotipin se jeta e mirë bëhet në luks. Karaga i kishte latuar me mjeshtri të gjitha nuancat e ndërtimit të karakterit si shenja që dilnin nga personazhi e komunikonin me spektatorin.
Në çdo partiturë të kompozimit skenik, Karaga e mbanë personazhin nën kontroll duke i dhënë siguri e besim në atë që bënë dhe kjo e bënë atë të veçantë si aktor.
Sabina Memishi ekspresive dhe tejet dinamike në paraqitjen e personazhit i cili brenda rrëfimit ka shumë thyerje, ngarkesa emocionale të cilat Sabina i interpreton me afsh por pa kaluar në shprehje patetike. Sidomos impresive ishte skena në vaskë ku Sabina e zbërthen trajtimin që i bëhet gruas, afinitetit seksual si dëshirë e burrit duke prekur edhe shkaqet e prishjes së shumë marrëdhënieve në dukje ideale por që brenda përmbajnë drama që jo rrallë prekur krimin. Sabina duke e ndërtuar personazhin me guximin dhe forcën e gruas përmes personazhit sikur na thotë se vetëm zgjuarsia e gruas mund të shpëtoj atë që është njerëzore e cila rrezikon të shpërbëhet nga keqtrajtimi i burrit.
Personazhi të cilin me autorësi artistike e interpreton Amernis Nokshiqi është ajo gruaja e autoritetit intelektual, seksual dhe profesional karakteristika të cilat shumë saktë i mishëron në karakterin e personazhit që konsiston në autonomin e gruas. Lëvizje skenike deri në përsosmëri estetitieë, gjuha e trupit e kompleton tërësinë e veprimeve në ndërtimin e personazhit duke na dhënë një kreacion artistik.
Edhe Mentor Kurti, Fisnik Zeqiri me një potencë interpretative realizuan personazhet që përmbanin ide antagoniste por që i sjellin në skenë me një energji pozitive.
Fisnik Zeqiri rolin e të keqit e realizojë me shumë energji të cilën herë e disiplinonte me qetësi të dramatikës e herë shpërthente frikshëm. I artikuluar me lëvizje të ndërtuara edhe pse me një dozë të stereotipit të paraqitjes së negativitetit.
Ndërkaq partiturat e Bislim Muçajt e Teuta Ajdinit ishin dramë në vete. Ata me interpretime të detajuara në veprim preknin problemet e moshës. Energjia diksioni i pastër, emocioni spontan she i besueshëm i karakterizoj interpretimin e dy doajenëve të skenës teatrore shqiptare.
Skenografia dhe përbërësit tjerë
Skenografia funksionale deri aty sa regjisori kishte operuar me të si të ishte personazh, duke e integruar në procesin e ndërtimit të tempo-ritmit të shfaqjes.
Muzika dhe përbërësit tjerë të produksionit gjithashtu në funksion dhe të integruar bukur në shfaqje.
Çmimet
Në festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu” i cili u zhvillua në Tiranë 20-27 nëntor 2023 shfaqja “Nyjat” voli çmimet: për tekstin më të mirë: Refet Abazi, për rolin protagonist më të realizuar: Adem Karaga dhe për rolin dytësor: Fisnik Zeqiri.