Drita triumfon në javën e parë pranverore, në udhëtim te Ferizaj
Drita ka fituar në udhëtim te Ferizaj me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Zekirija Ramadanit e ka nisur me fitore sezonin pranveror, duke triumfuar në udhëtim te Ferizaj, duke treguar se do të jetë deri në fund aty në garën për titull.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë dhe raste nga të dyja skuadrat, por pa arritur t’i tundin rrjetat, duke shkuar në pushim me rezultat të barabartë 0-0.

Në pjesën e dytë, mysafirët ishin skuadër më cinike dhe përkundër rasteve të pakta, arritën ta tundin rrjetën dhe të marrin tri pikë shumë të vlefshme.
Goli i vetëm në këtë ndeshje erdhi në minutën e 49-të me anë të Kristal Abazajt, i cili i vetëm para portierit nuk gaboi për 1-0, i cili doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Pas kësaj fitore, Drita e sheh veten në pozitën e tretë me 32 pikë, apo një më pak se Prishtina dhe Ballkani në dy pozitat e para, ndërsa Ferizaj mbetet i nënti me 19 pikë.
Në takimin e javës tjetër, Drita është nikoqire e Drenicës, ndërsa Ferizaj udhëton te Prishtina e Re.
