Dr. Kamberi: Shërbimi shtëpiak ofroi mijra shërbime cilësore dhe në kohë për pacientët në nevojë
Shërbimi shtëpiak (patronazha) në kuadër të QKMF-së “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, është pjesë përbërëse e kujdesit parësor shëndetësor dhe ka për qëllim ofrimin e shërbimeve mjekësore dhe infermierore në shtëpitë e pacientëve, të cilët për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, moshës së shtyrë apo pamundësisë fizike, nuk kanë mundur të paraqiten në qendrat shëndetësore.
U. d i drejtorit të QKMF-së, Basri Kamberi, tha se gjatë vitit 2025, shërbimi shtëpiak është ofruar nga 3 ekipe të përbërë nga: 1 mjek dhe 2 infermierë.
Sipas tij, shërbimi është ofruar 7 ditë në javë, në dy ndërrime pune, duke siguruar mbulim të vazhdueshëm dhe qasje të barabartë për pacientët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor në kushte shtëpiake.
“Gjatë vitit 2025, përmes shërbimit shtëpiak janë realizuar: 8,775 kontrolle mjekësore shtëpiake; 19,735 shërbime infermierore, prej të cilave: 5,184 infuzione, 1,669 injeksione, 2,378 përpunime të plagëve, si dhe shërbime të tjera infermierore sipas nevojës së pacientëve”, tha doktor Basri Kamberi.
U. d. i drejtorit, në emër të menaxhmenti i QKMF-së shpreh falënderim dhe mirënjohje të veçantë për stafin shëndetësor të shërbimit shtëpiak për profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe në kohë për pacientët në nevojë.
