Dr. Enver Sadiku promovon monografinë për derbin legjendar “Drita – Gjilani” (1995–2025)
Në një mbrëmje solemne, të mbushur me emocione sportive dhe kujtime të paharruara nga futbolli vendor, u promovua monografia e autorit Dr. Enver Sadiku, kushtuar derbit më të madh të Anamoravës dhe njërit prej rivaliteteve më domethënëse në historinë e futbollit kosovar – përballjes ndërmjet FC Drita dhe SC Gjilani.
Ceremonia e promovimit mblodhi figura të njohura nga jeta institucionale, sportive dhe publike, ndërsa fjala hyrëse iu dha drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri, i cili vlerësoi librin si një kontribut të çmuar në dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë sportive të qytetit dhe rajonit.

Më pas, të pranishmëve iu drejtua Armend Misini, në cilësinë e përfaqësuesit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Kryetar i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjilanit. Ai theksoi se derbi “Drita – Gjilani” ka tejkaluar kornizat e një ndeshjeje të zakonshme, duke u shndërruar në një fenomen sportiv e shoqëror, që ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e futbollit në nivel lokal dhe kombëtar.

Në vazhdim, për librin folën edhe përfaqësuesit e dy klubeve rivale: Drilon Sylejmani nga SC Gjilani dhe Valon Zymberi nga FC Drita, të cilët theksuan se monografia e Dr. Sadikut përfaqëson një pasuri të përbashkët për të dy klubet, duke dëshmuar se rivaliteti sportiv, i dokumentuar me korrektësi dhe profesionalizëm, shërben si vlerë bashkuese për qytetin e Gjilanit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe aspektit shkencor dhe metodologjik të veprës. Redaktori shkencor i librit, Fitim Rifati, vlerësoi seriozitetin e punës hulumtuese, strukturën e qartë dhe qasjen objektive të autorit, duke e cilësuar librin si një kronikë publicistike të rrallë në literaturën sportive kosovare.

Libri ka dy recensentë, Sylejman Ismajli dhe Femi Sylejmani, ndërsa në emër të tyre foli z. Femi Sylejmani. Ai paraqiti një pasqyrë të përmbajtjes së veprës, duke theksuar se monografia përshkruan në mënyrë të detajuar tri dekada rivalitet sportiv, me statistika, rrëfime autentike, momente kulmore dhe protagonistë që e kanë formësuar këtë derbi ndër vite e dekada.
Në fjalën përmbyllëse, autori Enver Sadiku falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe pjesëmarrësit, duke vënë në pah se libri është rezultat i një pune të gjatë në fushën e gazetarisë sportive. Ai theksoi se këtë detyrë ia kishte dhënë vetes për ta rrumbullakuar në një botim tërësisht monografik, me qëllim që të risjellë në kujtesë kontributin e madh të të dy klubeve dhe jehonën e masivitetit të këtij derbi në Gjilan dhe shumë më gjerë – një rivalitet që, sipas tij, përbën vulën e identitetit të futbollit kosovar ndër vite e dekada.



Ky botim monografik si nje qw pa dritwn si njw kronikë publicistike u vlerësua lart nga pjesëmarrës të shumtë nga jeta publike, institucionale dhe sportive, të cilët e vlerwsuan botimin si një ngjarje të veçantë kulturore-sportive dhe si një referencë të rëndësishme për studiuesit, sportdashësit dhe gjeneratat e reja të futbollit.






































