Doli nga shtypi numri jubilar i revistës enigmatike “GJENI”
Për lexuesit dhe dashamirët e enigmatikës shqiptare, nga shtypi ka dalë numri i 10-të (jubilar) i revistës kulturore-zbavitëse enigmatike “GJENI”, një botim që shënon një moment të veçantë në rrugëtimin e saj krijues, shkruan TV Gjilani.
Revista botohet nga enigmati Ismail Gagica, i cili ndër vite ka mbajtur gjallë këtë projekt kulturor me përkushtim dhe vizion të qëndrueshëm.
Me këtë numër, “GJENI” arrin në gjithsej 520 faqe enigmatike, të ndërtuara ndër vite me mund, pasion dhe përgjegjësi kulturore. Edhe ky botim ruan rubrikat e përhershme dhe sjell forma të ndryshme enigmash, si dhe kontributet e autorëve të rregullt, të cilët vazhdojnë t’i japin vlerë dhe kuptim kësaj reviste unike në hapësirën shqiptare.
Në numrin 10 prezantohet rubrika e re “Enigmatët në enigma”, e cila këtë herë i kushtohet pionierit të enigmatikës gjilanase, Fehmi Mustafa. Ndërkohë, te rubrika “Ç’është enigmatika?” trajtohet pangrami, si një formë enigmatike ende pak e lëvruar në gjuhën shqipe. Vazhdohet gjithashtu cikli “Antologjia e enigmave shqip (4)”, me temën “Dekadë e artë e enigmatikës shqiptare”, që sjell një analizë të botimeve të viteve ’90 dhe të arritjeve më të spikatura të fundit të shekullit XX.
Në këtë numër janë prezantuar edhe figura të njohura të enigmatikës shqiptare, si Xhevat Ruhani, Ekrem Krasniqi, Visar Juniku, Rrahmon Salihu, Sadri Husmani, Riza Bërbatovci, Xhemë Karadaku, si dhe autorë të tjerë.
Rruga deri te ky numër jubilar nuk ka qenë e lehtë. Përballë vështirësive financiare dhe sfidave të shpërndarjes, revista ka arritur të mbijetojë dhe të ecë përpara, duke ruajtur identitetin dhe misionin e saj kulturor falë këmbënguljes së botuesit dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Me rastin e këtij jubileu, botuesit shprehin falënderim të veçantë për Ministria e Kulturës për mbështetjen e dhënë, si dhe për të gjithë bashkëpunëtorët dhe lexuesit që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
Numri 10 i revistës “GJENI” nuk përfaqëson vetëm një shifër, por është dëshmi e qëndrueshmërisë, besimit dhe pasionit për enigmatikën shqiptare.
