Dita e Gjuhës Amtare, Begaj: Ta ruajmë dhe ta përcjellim gjuhën shqipe brez pas brezi
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh për rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës shqipe.
Në profilin e tij zyrtar në Facebook, Presidenti Begaj ka publikuar një video-mesazh me poezinë “Gjuha shqype”, të interpretuar nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Selim Alliu” në Peshkopi, shkollë e cila është fituese aktuale e konkursit kombëtar të gjuhës shqipe.
“Krenar për gjuhën tonë amtare shqipe. Ta duam, ta ruajmë, ta përcjellim brez pas brezi dhe ta flasim bukur gjuhën tonë amtare,” ka theksuar Presidenti i Republikës.
Ai ka nënvizuar se vargjet e Fishtës, si në kohën kur janë shkruar, ashtu edhe sot, kanë të njëjtin kuptim për bukurinë e gjuhës shqipe, për përcjelljen e saj nga brezi në brez, ruajtjen në vise e fe të ndryshme, si dhe për fuqinë e saj si element identitar i kombit.
Me këtë mesazh, Presidenti ka synuar të ndërgjegjësojë çdo shqiptar për ruajtjen, përcjelljen dhe pasurimin e gjuhës shqipe.
