Delegacioni i UKZ-së viziton Panteion University në Athinë ku u diskutua thellimi i bashkëpunimit akademik
Gjatë vizitës zyrtare në Athinë, delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka” (UKZ), i udhëhequr nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, dhe Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, vizitoi Panteion University of Social and Political Sciences.
Delegacioni i UKZ-së u mirëprit nga Drejtoresha e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian, Dr. Eleni Vasileiou, si dhe nga znj. Efi Ntrouva, Shefe e Njësisë për Marrëveshje Ndërinstitucionale dhe Ndërkombëtare.

Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në disa dimensione, duke përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërinstitucionale, e cila është e përgatitur prej rreth dy muajsh. Po ashtu, palët biseduan edhe për Marrëveshjen Institucionale Erasmus+ ICM, si dhe për zhvillimin e programeve të mobilitetit intensiv (blended mobility), të cilat do të mundësojnë shkëmbimin e studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe të aktorëve relevantë (stakeholders) të të dy universiteteve.
Ky bashkëpunim synon të zhvillohet sipas modelit të suksesshëm që UKZ-ja tashmë e zbaton me Universitetin e Zugut (PH Zug) në Zvicër. Në këtë kuadër, për vitin 2026 është planifikuar edhe krijimi i grupeve punuese, me qëllim planifikimin dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta të studimeve master, duke forcuar më tej dimensionin ndërkombëtar të arsimit dhe kërkimit shkencor në UKZ.

