Çun Lajçi: Si filozofët grekë jam ba me këto librat e mi
Plakem çdo ditë, e çdo ditë më rinohet zemra.
Mendja më hollësohet si uji që rrjedh damarëve të bjeshkës, tue ushqye bredhin, pishën, hartinën — pa zhurmë.
Plakem çdo ditë e kambët më bahen të lehta si pupla shqiponje.
M’çojnë rrugëve — atyne pa drita, pa kalldrëme, pa stola pushimi — ku ecet veç me shpirt.
Me nji mjekërr të bardhë e me nji xhup të rrudhun dukem si filozof ilirik, që rrin n’hije pemësh pa fruta e këndon për vetveten.
Me kokë cullake e mjekërr të bardhë dukem si Sokrati i vujtun, që pinte helm për mos me tradhtue mendimin.
Nganjëherë dukem edhe si Migjeni, që zbriste prej Puke n’Shkodër, mbi dy rrotët e nji biçiklete, tue sjellë poezi mjerimi për tullumbat e Lulit e qymyrin e malsorës — vargje me klithmë ndërgjegjeje.
Ata, si Diogjeni i Sinopës, dilnin me kandil n’dorë me kërkue njeriun.
Unë dal me libra n’shpinë, tue kërkue mendjen teme mes kokave të mëdha që s’lanë vend as për hanë, as për diell.
“Ke po kërkon, o i humbun?” – më tha njeni, ngjitë me hotelin e Bacit.
“Kokën teme,” – i thashë, – “po mundohem me e gjetë mbi kokat tueja; por mëqe ajo asht e vogël e kokat tueja janë të mëdhaja, s’po e shoh as hanën, as diellin, as kodrat, as majat.”
Lulën e kuqe po e kërkoj — atë që rritet prej gjakut tonë.
S’e gjeta as në Londër, as n’Paris.
E gjeta veç në Fushë Kosovën e përmbytun, prej gjakut të Sulltanëve e Krajlave.
“Bozhurët po i kërkoj,” – i thashë.
Ai qeshi.
“Ju të vjetrit keni mall për emna sllavë,” – tha, e u fut në Swiss Diamond.
S’më dha kohë me i tregue për kujtesën, për lulen që del prej dheut të lagun me sakrificë.
Heshta.
Se heshtja asht britma që s’dëgjohet, por shpon.
U futa n’hotelin e dikurshëm, me petalet e lulëkuqeve të Kosovës, ku dikur fjetën yje të filmit e të kangës. Madje edhe ai Marshali, që Kosovën e futi n’sqetullën e Serbisë!
Jo, unë aty kurrë gjumë s’bana e kurrë bukë s’hangra.
Unë aty i piva ditët e rinisë sime, tue përkëdhelë kaçurrelën e Zallinave të Novosellës, Galushën, Galicën, Galën e Tahirit e të nanë Xhemilës.
Si filozofët grekë jam ba me këto librat e mi.
Ata i këndonin Odiseut; unë i këndoj Adem Jasharit të Prekazit, tue kërkue kujtesën.
E askush s’ma var.
Ikin prej meje si prej zgjebes.
25.02.2026
