
Bitcoin thyen rekord të ri, pse po rriten kaq shumë kriptovalutat?
Bitcoin arriti një nivel rekord sot, i nxitur nga kërkesa nga investitorët institucionalë dhe politikat e kriptomonedhave të administratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kriptomonedha më e madhe në botë u rrit mbi 118,000 dollarë, duke e çuar rritjen e këtij viti në mbi 26%, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Lojtarët e mëdhenj po blejnë aksione”
“Rekordi i ri i Bitcoin është rezultat i akumulimit të pamëshirshëm institucional – lojtarët e mëdhenj po blejnë furnizimin e disponueshëm dhe po shterojnë likuiditetin në bursa”, tha Joshua Chu, bashkëkryetar i Shoqatës Web3 të Hong Kongut.
Në mars, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që krijonte një rezervë strategjike për kriptomonedhat. Ai gjithashtu emëroi një numër figurash miqësore ndaj kriptomonedhave, përfshirë Kryetarin e Komisionit të Letrave me Vlerë (SEC), Paul Atkins, dhe “mbretin e inteligjencës artificiale” të Shtëpisë së Bardhë, David Sacks.
Kompanitë e familjes Trump kanë hyrë gjithashtu në botën e kriptovalutave. Trump Media & Technology Group (DJT.O) planifikon të lansojë një fond të tregtuar në bursë që do të investonte në kriptovaluta të shumta, përfshirë bitcoin, sipas një dokumenti të dorëzuar në SEC të martën.
Ethereum (Ether), kriptomonedha e dytë më e madhe në botë, u rrit me gati 5% në 2,956.82 dollarë, pasi më parë arriti një nivel pesëmujor prej rreth 3,000 dollarësh.
Trump njofton se SHBA-të do të krijojnë rezerva të aseteve dixhitale
Bitcoin është tregtuar mbi 100,000 dollarë në muajt e fundit, ndërsa investitorët vazhdojnë të tregojnë optimizëm në lidhje me politikat e Trump për kriptovalutat. Rritja e fundit e Bitcoin vjen ndërsa Nasdaq dhe S&P 500 shënuan rekorde të reja dhe Nvidia u bë kompania e parë me një vlerë tregu prej 4 trilion dollarësh.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve i bënë jehonë thirrjes së fushatës së Trump për ta bërë SHBA-në “kryeqytetin e kriptomonedhave të botës” dhe fitorja e tij në zgjedhje e çoi bitcoin-in mbi 100,000 dollarë për herë të parë në një muaj që nga dita e ygjedhjeve. Rritja u ngadalësua në muajt pas inaugurimit të tij, derisa Trump njoftoi se SHBA-të do të krijonin një rezervë të aseteve dixhitale.
Sa mund të rritet bitcoin?
Rritja e fundit e Bitcoin ka nxitur optimizëm brenda industrisë për gjysmën e dytë të vitit 2025, me një anketë të re të analistëve të kriptomonedhave që tregon një pritshmëri mesatare për çmimin prej 145,167 dollarësh deri në fund të vitit.
