Artistë nga të gjitha trojet shqiptare kënduan për gjilanasit në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Komuna e Gjilanit ka vazhduar me aktivitete të ndryshme festive.
Aktivitetet e 17 shkurtit u përmbyllën me një koncert madhështor në Teatri i Qytetit. Ky aktivitet solemn iu dedikua vlerave të lirisë, shtetësisë dhe identitetit tonë kulturor, duke shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se festa e Pavarësisë u përmbyll me Koncertin Solemn për Pavarësi.
“Nuk kishte si të mbyllej më bukur kjo ditë feste sesa me një mbrëmje kulturore, me pjesëmarrjen e artistëve nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët me artin dhe performancat e tyre i dhanë hijeshi dhe emocion kësaj nate të veçantë”, u shpreh kryetari Hyseni.

Në koncert performuan: Jeta Musolli dhe Isa Gjojcaj nga Baleti i Kosovës; prof. dr. Arifikmet Xhemaili, dirigjent; Kori “Akpella”, studentë të Universiteti i Tetovës; Rudina Çiko në piano, profesoreshë ordinare në Universiteti i Tiranës; drejtori artistik Shkodran Tolaj, i cili interpretoi këngët e tij autorale “Kosovë, gëzuar Pavarësia” dhe “Kosova – Kosovë”; Armando Likaj, bariton nga Opera e Tiranës; Besiana Mehmedi, mezzosoprano dhe profesoreshë ordinare në Universitetin e Tetovës; Llesh Nikolla, mjeshtër i madh – aktor dhe regjisor; si dhe maestro Zhani Çiko.

Repertori klasik përfshiu vepra nga Pjetër Gaci, Prenk Jakova, Feim Ibrahimi, Musa Piperku, ndërsa në pjesën e dytë kori solli ekskluzivisht interpretimin “Biejnë lodrat”.
Aktivitetet festive, të cilat u zhvilluan përgjatë katër ditëve, përmbyllen sot, më 18 shkurt, me shfaqjen Stand-up Comedy në Teatrin e Qytetit.

