Anton Nikë Berisha: “Të jesh shkrimtar s’ke kohë të vdesësh!”
(Kur dhembja e heshtjes dhe vetmia shndërrohen në art)
Poeti Ibrahim Kadriu është i njësuar me fjalën dhe me kuptimet e saj. Ai, siç ndodh me shkrimtarët e tjerë, gjithçka përfton përmes gjuhës, përmes tekstit poetik. Kuptimet që dalin prej fjalëve synojnë që të jenë sa më shumësore, të shprehin sa më shumë kuptime me sa më pak fjalë. Një tekst letrar poetik nuk matet me sasinë as me gjatësinë, po me dendësinë dhe me shumësinë e mendimeve. Kur një tekst synon njëkuptimësinë, ai u përket llojeve të tjera shkrimit e jo artit të fjalës, letërsisë.
Pra, teksti i përftuar me përkushtim dhe kumtet që dalin nga fjalët dhe marrëdhënia e tyre në tekst, bëjnë botën që e krijon poeti, e cila është në gjendje të komunikojë në mënyrë të veçantë me marrësin dhe të ndikojë në të estetikisht. Kjo botë e përftuar përmes tekstit, ndërtohet në bazë të shëmbëllesës, në bazë të përvojës së njeriut, pra ajo nuk është imitim i asaj që ndodh në jetën konkrete, i asaj që rëndomë e shohin dhe e dallojnë sytë tanë. Ajo është botë e përfytyrimit dhe e imagjinatës, botë e mëvetësishme, që mbijeton përmes kuptimeve që teksti sjell dhe nxit tek marrësi.
Natyrisht se gjithë ajo që shprehet përmes tekstit poetik është e lidhur ngushtë me vetë autorin, me shpirtin me botën e tij, me përvojën dhe dijen që ka për njeriun dhe për jetën.
Në qenësi ajo që shpreh poeti ndërlidhet kryesisht me tokën dhe me botën ku jetojnë njerëzit e tij, me fatin e tyre, me vuajtjet dhe pësimet në rrjedhë të kohëve, siç thotë Kadriu, – peng i kohëve në gjunjëzim – dhe ku ka gjalluar fjalë e plagosur, e përgjakun si koha.
Poeti niset nga vetvetja, nga ajo që ai e ndien dhe e jeton, për ta shtrirë e për t’u njësuar pastaj dhe me njerëzit e botës që i përket. Këto dy përmasa në kumtin poetik të Kadriut dalin të ngjizura.
Poeti Kadriu u qaset dhe i shqipton ndodhitë nga jeta pa zbukurime, ashtu si i ndjen dhe si i përjeton: Kam provuar të jem unë. Kjo nuk është as mendjemadhësi, as kryeneçësi, po aftësi të ballafaqohesh me veten dhe me ashpërsitë e jetës e të botës ku jeton. Tragjikja që e ka cilësuar vendlindjen (Karadakun po dhe Kosovën, dhe më gjerë) në të kaluarën, përsëritet edhe në kohën e poetit. Kjo dëshmohet nga bubullimat e rrufetë, nga kamxhiku, ku as ëndrrat nuk janë të lira. Kanë ndërruar vetëm brezat e personat: ata që i nxitën të këqijat, dhunën, mënyrat e vuajtjes dhe pësimet dhe ata që i përjetuan ato. Secili i huaj që e mësyni vendlindjen, Karadakun e poetit dhe vendin e tij, erdhi “me uri ujku” dhe bëri gjithçka që t’i zhbëjë njerëzit, historinë dhe vendin e tyre.
Poeti ynë ia del të krijojë poezinë si dëshmi të dashurisë ndaj njeriut, kërkesë e botës së tij shpirtërore, brenda së cilës gjërat ekzistojnë dhe drejtohen nga parimet që mbështeten në mirësi dhe liri. Bota e brendshme është mbretëri e ndërliqshme, ku duhet të sundojë dashuria; ajo ekziston dhe funksionon para së gjithash mbi parimin e bukurisë dhe harmonisë dhe ku synohet që dukuritë dhe gjërat e jashtme të përkojnë e të përshtatën sipas atyre përcaktimeve dhe ndjesive.
Të jesh shkrimtar
e ke botën tënde të plotë
në të s’mund të futen kuvend as qeveri
as programe partish
as policë e administratorë
s’arrijnë t’i vënë gishtat as grushtet
as me korruptim
në oborrin e tij nuk hyjnë
dyert askush s’mund t’i çelë
(Të jesh shkrimtar)
Poezia, e shndërruar në dashuri, është pararojë shpirtërore e Poetit; ajo e mbron nga psherëtimat dhe nga rrënimi që i shkaktojnë rrethanat e jetës konkrete; edhe vargjet janë rrjedhojë dhe shqiptim i asaj gjendjeje, që shpirti i kërkon pareshtur.
E dija se ishin ndokund të shpërndara
mes librash e pluhurit lecka kohësh e zemre
që më ruajnë të paprekur në psherëtima vetmie
vargje për çastet që ma ngjyrosnin ditën
E dija se isha i tëri mes atyre faqeve
si në arenë gladiatorësh përballë rrebesheve klithjeve
(Faqe fletoresh të vjetra)
Poeti ka detyrën dhe misionin e caktuar: të komunikojë dhe të veprojë me anë të poezisë, të kumteve poetike, përmes të cilave midis njerëzve mbillet mirësi dhe besim, siç thuhet në “Bibël”: Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemër (Mt 22, 37) dhe Duaje të afërmin tënd porsi vetveten (Mt 22, 39). Pikërisht për këtë poeti s’ka kohë të vdesë.
Të jesh shkrimtar
s’ke kohë të vdesësh
i ke të zëna të gjitha orët
me dashuritë…
je mbret
pa stoli pa roje
e oborrtarë
dhe vetëm pena di të trimërojë
të ruajë pushtetin e plotë
(Të jesh shkrimtar)
E kundërta e qëllimit dhe e funksionit të fjalës së krijuar dhe të përdorur nga Poeti ynë, është fjala e atyre që vijnë të pushtojnë dhe të sjellin të keqen, që krijojnë gjendje dhe adresa varresh; ata e këmbejnë fjalën me thikën, me plumbin, me gjakun.
Ata s’kishin fjalë, por shqelma, thika, plumba…
kishin sjellë më vete të mesjetës urrejtje
mureve ishin shtrirë në formën e kryqit të thyer
ata bënin adresa të reja – adresa varresh.
(Elegji për vargjet)
Është e ditur se poezia, si art, nuk zbulohet, nuk shfaqet menjëherë, ajo përfillet dhe ndikon ngadalë, të thuash padukshëm. Teksti poetik synon shumësinë kuptimore, herë – herë të pafund. Së këndejmi, për të kapur e veçuar të qenësishmen e tekstit me cilësi të tilla duhet lexuar derisa të njësohesh, ta ndjesh e të vihesh mirëfilli në komunikim me të. Pra, qëllimi kryesor i tekstit poetik nuk është kuptimi i mirëfilltë i tij, po vënia e komunikimit me shtresat e mundshme kuptimore që përmban ose mund të përmbajë ai: njësimi, ballafaqimi ose kundërvënia. Pikërisht brenda kësaj qasjeje dhe mënyre të komunikimit del në shesh qenësia e tekstit letrar poetik dhe mundësia e ndikimit të tij estetik, siç ngjet edhe me poezinë e Ibrahim Kadriut.
Prishtinë, dhjetor 2025
TË JESH SHKRIMTAR
Kur je shkrimtar
një botë krejtësisht tjetër
formuar në veten e parë
të mban gatitu
me mundësi të hatashme për të sunduar
me të krijuarën shtesë kohë
me peshë të veçantë
ardhur me vetminë e ditës dhe natës
si ushtarë të disiplinuar
pas ushtrimeve të rrezikshme
dhe presin urdhrat nga krijuesi
Nuk del bir nëne të jetë më i pushtetshëm
se ai që i mban në rresht
ndjesitë e të gjitha rrafsheve
për t’i veshur mysafirët
që zënë vend në faqe librash
me rroba masash të caktuara
me stoli shkuar stolive
derisa qëndrojnë e presin stinët
të kapërcejnë nëpër to
sipas urdhrit të shkrimtarit
Të jesh shkrimtar
e ke botën tënde të plotë
në të s’mund të futen kuvend as qeveri
as programe partish
as policë e administratorë
s’arrijnë t’i vënë gishtat as grushtet
as me korruptim
në oborrin e tij nuk hyjnë
dyert askush s’mund t’i çelë
Të jesh shkrimtar
kulla ndërton e shtron rrugë
nuk pret prokurime as donatorë
truproje e këshilltarë
mbesin pa bukë
shkrimtarit vetëm letra i duhet
Të jesh shkrimtar
s’ke kohë të vdesësh
i ke të zëna të gjitha orët
me dashuritë
e me ndonjë gotë
je i tëri i zgjuar e s’të duhet gjumi
kur je vetëm
por jo i vetmuar
je mbret
pa stoli pa roja
e oborrtarë
dhe vetëm pena di të trimërojë
të ruajë pushtetin e plotë
Të jesh shkrimtar
tërë botën
e mban në sirtar
nën dry të shpirtit larg të tjerëve
dhe ke kohë për kohën e saj
që ik përditë
me zhurmë shurdhuese
me kundërmim
Të jesh shkrimtar
Kosova të falet tërësisht
me këngë e me vaje priten e zë në çdo stinë
asgjë nuk mban të mbyllur
pushim ofron
të mbetet në përjetësi ashtu siç është
kokë – lart
E lexuar në “VJESHTA LETRARE E GJILANIT” – 2025, në veprimtarinë përmbyllëse e nderuese për shkrimtarin Ibrahim Kadriu, të cilit iu shënua 80 vjetori i lindjes si dhe 65 vjetori i krijimtarisë letrare, më 13 dhjetor 2025, në Bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli”, në Gjilan.
