Anton Nikë Berisha – Sa i ka qëndruar dhe i qëndron kohës poezia e Rexhep Elmazit?
Kumtesën e sotme rreth çështjes se sa i ka qëndruar dhe i qëndron kohës Poezia e Rexhep Elmazit, dua ta filloj me një mendim të De Radës sonë, i cili në veprën “Skanderbeku i pafán” bën të ditur për mënyrën se si i kishte shkrirë dhe pëlqyer (harmonizuar), si thotë ai “të shtimet plot gjallëri dhe me efekt” dhe “ëmbël” pjesët (ose librat) e shkruara në periudha të ndryshme në një vepër tërësore, që shprehet, si thotë ai, “dashurinë e shpirtit tim”, një rrumbullakësim që i përgjigjej më së miri plotnisë, bukurisë dhe artit të saj:
Nga: Prof. Dr. Anton Nikë Berisha
“Sidoqoftë, çdo shpirt poetik dhe krijues e di se në këso farë veprash me fuqi vullneti të gjatë, të shtimet plot gjallëri dhe me efekt, të lindura më parë, i jepen mandej mendjes për t’i renditur në dritën që nga njëra, duke u harmonizuar ëmbël, reflekto tek tjetra (nënvizimi im). Kurrënjëherë arti krijues nuk e ndjek mirë punën e menduar më parë e të hollë të mendjes, ose s’i bindet”. Pra, pikërisht nëpërmjet dukurive të botës, të veprimit të njerëzve e të shpirtit të tyre, si thotë De Rada. – harmonizimit të ëmbël, që shprehet nga njëra tek tjetra pjesë, del në pah dhe zbulohet qenësia e botës dhe e fatit të njeriut: “Arti përpiqet të nxjerrë në pah dhe në mënyrë sa më të plotë aspekte të botës, në mënyrë që secili, si përmes një velloje të hollë, të lexojë kuptimin që kanë gjërat dhe që filozofia e kërkon”.
Rexhep Elmazi gjakon që poezisë së vet t’i japë një tërësi shprehëse kuptimore, t‘i harmonizojë përbërësit e ndryshëm brenda tekstit të tij dhe t’u japë atyre atë kuptim që ato mund ta kenë për njeriun dhe botën e tij. Kjo vërehet sidomos në poezitë e përfshira në përmbledhjen – Psherëtima shiu . Ai ishte i bindur se përmes kumteve poetike teksti shkakton ngushëllimin shpirtëror dhe ndikimin estetik, katarsën, siç do të thoshte Aristoteli. Pra, poezia duhet të shqiptojë dhe të komunikojë me dukuri të qenësishme të jetës, brenda tyre edhe me vështirësitë dhe pësimet; ajo nuk duhet të jetë e shkëputur nga dukuritë e jetës dhe të veprimit të mjedisit shoqëror. Elmazi mendonte se edhe përmes poezisë mund e duhet t’i kundërvihet padrejtësisë, mungesës së lirisë dhe dhunës që ushtronte, në shqiptarët e Kosovës, në forma të ndryshme pushteti i asokohshëm.
Poeti Elmazi niset që përmes poezisë të thuhet e vërteta e rrethanave në të cilat jetonin shqiptarët e Kosovës; të ndriçohet fakti se ai sistem dhe ajo politikë ishin për ta shpërfillëse dhe të përmbysura; jo vetëm u mohoheshin të drejtat themelore, ku demokracia ishte, fjalë e mykur lashtësie! (“Feja e Zotit konkret”), po ushtrohej dhe dhunë shpirtërore dhe kulturore.
Për të qenë mesazhi poetik më i vlefshëm, poeti Elmazi shpesh i jep shfrim përfytyrimit, imagjinatës, po konkretësia e përditshmërisë është përbërësi – përmasa kryesore e poezisë së tij. Po përmend disa vargje që e shprehin këtë në mënyrë të qartë: “S’ka mbetur asgjë për t’i ngrohur ditët”; “Ti nuk ke lindur për ta shijuar jetën”; “Se për dhembje kam zemër sa të duash”; “Ke vajtur shumë larg në ëndrrat e ditës” dhe “Trupi im si udhëtar mes yjesh”. Poeti e vëren pamundësinë e veprimit; rrjedha konkrete e jetës e ngulfat atë dhe njeriun e tij dhe ai më shumë flet me heshtjen: “Për nga heshtja – jemi vëlla me gurin!”. Kjo gjendje ndikoi në frymëmarrjen, në veprimin dhe në të menduarit, siç dëshmon, fjala vjen, poezia me titull “Dikush flet brenda meje”; ajo është zëri i ndërgjegjes që nuk e lë të qetë në asnjë çast. Heshtja në qenësinë e vet, shprehet si vuajtje dhe tragjikë.
Pra, poezitë e tij, siç shprehet në vetë titullin e kësaj përmbledhjeje, janë psherëtima shiu, që shqiptohen vetëm pjesërisht; pjesa më e madhe e këtyre (psherëtimave) kthejnë dalë e përplasen brenda poetit. Ai është i ndërgjegjshëm se po qe se nuk do ta frenojë fjalën e vet, do ta pësojë keq, jo vetëm ai, po dhe familja dhe më gjerë. Për këtë arsye atij i duhet shpesh ta fshehë mendimin e vet; herë – herë ta veshë me diçka që futet ndërmjet për të zvetënuar dhe zhdukur dyshimin. Kështu, Elmazi vendos të përdorë një lloj loje në ndërtimin e poezisë, që, të thuash, shndërrohet në parim krijues. Ai thotë vetëm atë që do të mjaftonte të kapen fijet e qenësisë që ka synuar të thotë; duhet të kënaqet me pjesësinë, copësinë. Kështu, poezia me titullin “Për shokun tim që këndon ”, fillon me vargun krejt të kundër me titullin “Ti nuk ke lindur për ta shijuar jetën” ose poezia me titull fare të thjeshtë: “Takimi me shokun e vjetër”, që shqipton një gjendje të rëndë, të thuash të padurueshme, ku shokët më shumë gjakojnë të jetojnë në kujtime (“të hareshëm e të pabrenga”) sesa në atë që ofron përditshmëria: mungesën e lirisë së të shprehurit, vuajtja dhe dhuna që e ngushtojnë frymëmarrjen e jetës.
Realiteti jetësor që shqiptohet në poezinë e Rexhep Elmazit në qenësinë e vet është tronditës, edhe pse, siç u tha më parë, shfaqet vetëm pjesërisht, po fuqia e tyre rrezatuese dhe ndikuese është e madhe, sidomos për atë që gjakon të “zbresë” në shtresat thellësore të tekstit e të mesazheve. Duke folur për të kaluarën, për të parët, poeti në të vërtetë flet për kohën kur jeton ai: vendi i tij cilësohet me grumbull rrashtash – si shenjë e pësimeve. në rrëfimin e tij shtrohen pyetje dhe mëdyshje; ato sado pak e pezullojnë qartësinë dhe saktësinë, përfundimin e prerë për një gjë; pyetjet i japin hapësirë pasigurisë, mundësisë që të jetë ndryshe, me çka siç dëshmohet drejtpeshimi i dy të kundërtave. Kjo dukuri (e drejtpeshimit të dy të kundërtave) përligjet edhe kur poeti Elmazi flet për lirinë dhe dashurinë, që ndërlidhen dhe shkrihen në njëra – tjetrën; sa fiton përshtypjen se flitet për të dashurën, bindesh se është fjala për lirinë. Ç’është e vërteta, liria, gjakimi për të, që përbën qenësinë dhe rrafshin thellësor të poezisë së tij, nënkupton pavarësinë e veprimit e të gjallimit, ndërlidhet me dashurinë, me dashurinë e një përmase sa të gjerë aq të thellë.
Poeti Elmazi në poezitë e tij i përmbahet asaj që thoshte shkrimtari turk, Orhan Pamuk (thënë (7 dhjetor 2006): “Të jesh shkrimtar, për mua, domethënë të mbështetesh mbi plagët e fshehta që bartim në vetvete, t’i njohësh, t’i nxjerrësh jashtë dhe t’i bësh këto plagë dhe dhimbjet tona pjesë përbërëse të shkrimit të identitetit tonë”.
Natyrisht ajo që thashë më lart dëshmon se poezia e Rexhep Elmazit i ka ato cilësi që mundojnë një komunikim me marrësin si dje si sot.
____________________
(Kjo kumtesë u lexua në Gjilan, më 27 janar 2023, në Tryezën letrare për poezinë e Rexhep Elmazit, organizuar në kuadër të Manifestimit kombëtar të kulturës, “Flaka e Janarit” e në 45 vjetorin e vrasjes tinzare të këtij poeti )