
A mund t’u merret mandati deputetëve – rreziku i një situate të paprecedentë nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më 26 korrik
Situata në Kosovë mbetet e bllokuar, ndërsa heqja e mandateve të deputetëve – një opsion i përmendur në rast të moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik – nuk konsiderohet e realizueshme. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse ky afat shkelet, vendi do të përballet me një krizë politike dhe juridike të panjohur më parë.

Askush nuk ka përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë në Kosovë pas 26 korrikut – datë kur skadon afati prej 30 ditësh që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin.
Deri tani, përpjekjet për formimin e këtij institucioni ligjvënës kanë dështuar 44 herë.
Partitë politike vazhdojnë të fajësojnë njëra-tjetrën për ngërçin dhe të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre.
Në këtë atmosferë bllokade, ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mushkolaj, thotë se barra e përgjegjësisë duhet të kalojë tani mbi presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila e ka detyrë kushtetuese të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.
Sipas saj, e para e shtetit duhet t’i intensifikojë përpjekjet për arritjen e një konsensusi mes partive politike, dhe nëse kjo dështon, të kërkojë interpretim shtesë nga Gjykata Kushtetuese, për të qartësuar hapat e ardhshëm.
“Gjykata Kushtetuese duhet të jetë më e prerë rreth afatit që e ka përcaktuar dhe pasojave që vijnë pas këtij afati. Roli i Gjykatës Kushtetuese nuk ka përfunduar ende”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Javën e kaluar, presidentja Osmani priti për dy ditë me radhë përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të zhbllokuar situatën.
Pas takimeve, ajo u shpreh qartë se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është “detyrim e jo opsion” dhe u bëri thirrje partive që sa më shpejt të gjejnë zgjidhje.
Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, thotë se presidentja është duke i shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për sqarim të aktgjykimit, “në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike, në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga ajo”.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thonë se konsensusi është e vetmja rrugë për të tejkaluar bllokadën dhe për të konstituuar Kuvendin deri më 26 korrik.
Nëse kjo nuk ndodh, Kosova do të përballet me një situatë të panjohur deri më tash, thotë Naim Jakaj nga ky institut.
“Kosova do të hyjë në një situatë të re juridike dhe politike, që nuk e ka përjetuar më herët. Pasojat e saj do t’i ndiejmë në muajt e ardhshëm, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik”, thotë Jakaj.
A mund t’iu merret mandati deputetëve?
As Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, nuk ka një përgjigje të qartë për zhvillimet që mund të pasojnë nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.
Më 9 korrik, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve për këtë çështje, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha shkurt: “E paparashikuar”.
Dy ditë më parë, ajo përmendi mundësinë që të gjithë deputetët e Kuvendit të humbin mandatin, nëse nuk e konstituojnë institucionin brenda afatit 30-ditor, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“…janë 120 deputetë të legjislaturës së 9-të, që mund t’iu merret mandati, dhe të vazhdohet pastaj me deputetët që janë në listat e të gjitha partive politike”, tha Kusari-Lila.
Por, Mushkolaj shpjegon se mandatin e deputetëve të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk mund ta marrë askush.
“Populli ua ka dhënë këtë mandat dhe populli ua merr mandatin. Vetëm nëse shkojmë në zgjedhje. Por, përsëri, duhet të konstituohet Kuvendi”, thotë profesoresha në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Jakaj, gjithashtu, nuk e sheh të mundshme heqjen e mandatit të deputetëve.
Ai thekson se Kushtetuta e Kosovës, në nenin 70, përcakton qartë arsyet për përfundimin ose pavlefshmërinë e mandatit të deputetit.
Ato përfshijnë: mosbetimin, dorëheqjen, emërimin në qeveri, përfundimin e mandatit të kuvendit, mungesën prej gjashtë muajsh në seanca, dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vite burgim, ose vdekjen e deputetit.
“Në asnjë nga pikat e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese nuk i ka saktësuar pasojat kolektive apo individuale për deputetët, në rast të moskonstituimit brenda afatit prej 30 ditësh”, shton Jakaj.
Edhe Artan Muhaxhiri, sociolog dhe njohës i politikës në Kosovë, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk parashikon marrjen e mandateve nga deputetët, në rast të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit.
Për më tepër, thekson ai, në Kosovën e pasluftës nuk ka ndonjë precedent të ngjashëm.
Ai thotë se një hap i tillë do të kërkonte një vendim të ri të Gjykatës dhe ndryshime në mënyrën e zëvendësimit të deputetëve, por, prapëseprapë, nuk do të garantonte tejkalimin e bllokadës politike që po e pengon formimin e institucioneve.
“E para, ata deputetë që do të vinin, do të kishin më pak legjitimitet dhe pothuajse të gjithë do të ishin anonimë, pa përvojë politike. Vetë fakti që nuk janë zgjedhur, dëshmon se nuk kanë arritur sukses as në garën përbrenda partive të tyre”, thotë Muhaxhiri.
Ai shton se personat që do t’i zëvendësonin deputetët aktualë, do të vepronin nën udhëzimet e liderëve të partive të tyre, ndaj sjellja e tyre në procesin e konstituimit të Kuvendit do të ishte e njëjtë me atë të deputetëve aktualë.
“Do të ktheheshim në pikën ku jemi tash, por me një humbje të kohës dhe me një dëmtim të perspektivës së Kosovës dhe imazhit institucional në përgjithësi”, thekson Muhaxhiri.
Ku ka mbetur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës?
Deri më tani, deputetët kanë përfunduar vetëm dy pika të agjendës: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.
Procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme në disa runde votimi për t’u zgjedhur në këtë post.
Dy parti parlamentare, PDK-ja dhe AAK-ja, e shohin Haxhiun si figurë përçarëse dhe kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për kryeparlamentar.
LDK-ja thotë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për këtë pozitë.
E, Vetëvendosje këmbëngul tani që votimi për Haxhiun të bëhet në mënyrë të fshehtë, duke premtuar se nëse ajo nuk i merr 61 vota, do të propozojë një kandidat tjetër.
Por, kjo formë votimi kundërshtohet nga partitë e tjera, duke e futur situatën në një rreth vicioz.
Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin për konstituimin e Kuvendit me afat 30 ditësh më 26 qershor, pas 37 tentativave të dështuara në këtë proces.
Megjithatë, ekspertët kushtetues dhe partitë politike e kanë kuptuar dhe interpretuar këtë vendim në mënyra të ndryshme.
Muhaxhiri thotë se për të tejkaluar bllokadën në Kuvend, është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë.
