Kamberi, Rexhepi dhe Kurtulus veshin fanellën e Dardanëve: “Zemra jem ka rrah gjithmonë për Kosovën”
Tri fytyra të reja, një fanellë e përbashkët dhe një ëndërr e bërë realitet. Lindrit Kamberi, Enis Rexhepi dhe Bleon Kurtulus janë tri prurjet më të reja të Kombëtares së Kosovës, të cilët do t’i bashkohen Dardanëve për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve, ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Të tre futbollistët kanë përcjellë mesazhet e tyre të para si përfaqësues të Kosovës, përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Krenaria për përfaqësimin e vendit dhe emocionet për këtë kapitull të ri në karrierën e tyre kanë qenë në qendër të mesazheve të futbollistëve.

“Unë jam Lindrit Kamberi, futbollisti më i ri i Kosovës. Jam shumë krenar dhe mezi pres me vesh fanellën e Kosovës. Forca Kosova!”, u shpreh Kamberi.
Edhe Enis Rexhepi shprehu kënaqësinë dhe krenarinë që tashmë është pjesë e përfaqësueses së Kosovës.
“Përshëndetje, unë jam Enis Rexhepi, lojtari më i ri i Kosovës. Jam shumë krenar me vesh fanellën e Dardanëve. Forca Kosova!”, deklaroi ai.
Ndërkaq, mesazhi më emocional erdhi nga Bleon Kurtulus, i cili theksoi lidhjen e tij të veçantë me Kosovën.
“Unë jam Bleon Kurtulus, lojtari më i ri i Kosovës. Zemra jem ka rrah gjithmonë për Kosovën. Forca Kosova!”, ishte mesazhi i tij.
Tashmë, tre futbollistët do të kenë mundësinë të dëshmojnë vlerat e tyre me fanellën e Dardanëve. Kosova fillimisht do të përballet me Izraelin në Prishtinë, të shtunën, ndërsa javën e ardhshme do të udhëtojë drejt Dublinit, ku do të zhvillojë ndeshjen kundër Irlandës.
