Fakije Zejnullahu zgjidhet ushtruese e detyrës së rektorit në UShAF, merr urime nga kryetari Sokol Haliti
Profesoresha e asociuar, dr. Fakije Zejnullahu, me prejardhje nga Vitia, është zgjedhur Ushtruese e Detyrës së Rektorit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF). Me këtë rast, ajo ka marrë urime nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Në emër të tij dhe të Komunës së Vitisë, Haliti i ka shprehur profesoreshës Zejnullahu urimet më të përzemërta, duke e vlerësuar këtë emërim si dëshmi të profesionalizmit, përvojës dhe kontributit të saj shumëvjeçar në fushën akademike dhe institucionale.
Në urimin e publikuar, kryetari Haliti ka theksuar krenarinë e Vitisë për arritjet e bijave dhe bijve të saj, të cilët me punën dhe sukseset e tyre kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë dhe institucioneve.

Ai i ka uruar profesoreshës Zejnullahu shëndet, suksese dhe mbarësi në detyrën e re, duke shprehur besimin se përvoja dhe profesionalizmi i saj do të jenë në shërbim të avancimit të arsimit të lartë dhe zhvillimit akademik.
“Vitia është krenare me ju!”, thuhet në urimin e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
