SESION INFORMUES NË GJIMNAZIN “XHAVIT AHMETI” PËR SIGURINË KIBERNETIKE
Arcus Security prezanton mundësitë për të rinjtë përmes programit KCTI.
GJILAN, 26 tetor 2026 – Në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan është mbajtur një sesion informues mbi sigurinë kibernetike dhe mundësitë për karrierë në këtë fushë.
Sesioni u organizua nga Arcus Security, kompani e specializuar në fushën e sigurisë kibernetike me seli në Prishtinë, në kuadër të Kosovo Cyber Talent Initiative – KCTI. Në aktivitet morën pjesë mbi 30 nxënës maturantë nga të gjitha paralelet e klasave të dymbëdhjeta.


KCTI zbatohet nga Arcus Security dhe AAB College, në kuadër të Advanced Balkan Cyber Programme – ABCP, i financuar nga FCDO e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas përfaqësuesve të Arcus Security, ky program është një nismë kombëtare që synon të identifikojë dhe të mbështesë të rinjtë me interes dhe potencial për zhvillim në fushën e sigurisë kibernetike.
Gjatë sesionit, nxënësit u njoftuan me procesin e aplikimit, fazat e vlerësimit të potencialit, si dhe me mundësitë për trajnim të specializuar, praktikë profesionale dhe zhvillim të karrierës.
U theksua se profesionistët e sigurisë kibernetike janë shumë të kërkuar sot, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Rëndësia e sigurisë kibernetike
Në ligjëratë u shpjegua se siguria kibernetike është praktika e mbrojtjes së sistemeve, rrjeteve, pajisjeve elektronike dhe të dhënave nga sulmet digjitale keqdashëse. Ajo është bërë shtyllë kryesore për funksionimin e sigurt të individëve, bizneseve dhe shteteve.

Gjithashtu u diskutua për tre parimet kryesore: Konfidencialiteti, Integriteti dhe Disponueshmëria, si dhe për rreziqet dhe kërcënimet më të shpeshta në hapësirën digjitale.
Nxënësit e pranishëm shfaqën interes të lartë për t’u bërë pjesë e këtij programi. Ata e vlerësuan sesionin si tejet të dobishëm, sidomos duke pasur parasysh se shumë maturantë të Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” synojnë studimet në shkencat kompjuterike dhe inxhinierinë kompjuterike.
