Superliga vazhdon me dy ndeshje, vëmendja te dueli Prishtina – Drita
Sot (e diel) zhvillohen dy përballje në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll, me skuadrat që synojnë pikë të rëndësishme për objektivat e tyre sezonale.
Vëmendja kryesore do të jetë në kryeqytet, ku Prishtina e pret Dritën në Kampin Nacional në Hajvali.
“Bardhëkaltërit” synojnë fitoren për të vazhduar rrugëtimin në krye të tabelës, ndërsa Drita, pas shenjave të këndelljes, kërkon pikët e plota për t’u rikthyer fuqishëm në garën për titullin e kampionit.

Në ndeshjen tjetër, Feronikeli ’74 do të jetë nikoqir i Dukagjinit në Drenas.
Vendasit synojnë të ngjiten në pjesën e sipërme të tabelës, ndërsa klinasit kërkojnë një fitore të rëndësishme në garën për një vend që dërgon në garat evropiane.
Të dyja ndeshjet janë paraparë të nisin nga ora 13:00.
