Shkruan, Sylë Shabani: Tri pelerina në shiun e Gjilanit dhe një vjeshtë me kujtime
Tri pelerina në shiun e Gjilanit dhe një vjeshtë me kujtime.
Është e pamundur të qëndrosh në qytetin e Gjilanit disa ditë me radhë e të mos i kujtosh tre gjilanasit e mëdhenj. Sidomos kur qëllon vjeshtë dhe ecën nëpër trotuare, kur fillojnë pikat e imta të shiut, kur i vëren gjethet duke u kalamendur në ajër, dhimbshëm, kur i vëren kalimtarët si shpejtojnë, kur e dëgjon natën shushurimën e erës.

Shkruan, Sylë Shabani

Por, mbi të gjitha, kur ulesh i vetmuar për të pirë kafe në hotelin Kristal dhe të bëhet se je i vetëm, fillikat në këtë botë, atëherë është e pamundur të mos të vijë një lloj ndjenje e papritur, sikur të mos jesh vetëm, sepse pas pak do të arrijnë tre gjilanasit e mëdhenj, me pelerinat që ua merr era, duke u afruar pranë teje me nxitim: Musa Ramadani, Rexhep Elmazi dhe Beqir Musliu.
Kur të kap ajo vetmi trishtuese, qoftë edhe për një çast të shkurtër, nuk mbetet pa t’u kujtuar thirrja poetike e Rexhep Elmazit: „Vetëm era lodron me derën, për të ma kujtuar dikë të shkuar, vallë kurrë më të ardhur…“
Ndoshta, në këto çaste, të kujtohet rruga e cila e mori dikë të dashur dhe nuk e ktheu kurrë më. Mos qoftë e thënë të të kujtohet varri…
Edhe po nuk arritën tre gjilanasit e mëdhenj, sa je duke e shijuar kafenë amerikane, hija e tyre, si një bukuri hyjnore, sillet rreth teje.
Beqir Musliu të shfaqet sikur sapo është ndarë prej ca mistikëve që, në pagodat e tyre, i kanë mbyllur të gjitha urtësitë e botës.
Nuk mund t’i ikësh idesë, kur kujton Pagodën, pa të ardhur një mendim: pse nuk je mbyllur në një manastir të largët, ku së paku nuk do të kishe asnjë obligim për ta luftuar vetminë?
Aty do të ushqeheshe me shpirtin tënd, si Zarathustra, dhe do të bëje përpjekje të lidhesh me transcendenten.
Pastaj Musa Ramadani ta sjell Kafkën, hotelin e Pragës dhe një Proces që nuk mbaron kurrë…
Ta sjell Kafkën dhe fajin e papërcaktuar të Jozef K.-së, ta servir në vend të ëmbëlsirës…
Fajtor? Përse vallë?
Ndoshta, për asgjë tjetër, fajtorë jemi të gjithë pse nuk e deshëm njëri-tjetrin më shumë, pse nuk e shijuam pranverën më shumë, pse nuk e ndjemë bukurinë e luleve më shumë…
Fajtorë?
Prandaj, është e pamundur të kalosh nëpër Gjilan e të mos të kujtohen tre gjilanasit e mëdhenj: Musa Ramadani, Rexhep Elmazi dhe Beqir Musliu.
Shkrimtarë që e kënduan bukurinë, e kënduan dhimbjen, e kënduan dashurinë…
Në fund, u mbyllën në elegji dhe, sikur me një pjatë fluturuese plot ndriçim, fluturuan drejt përjetësisë.
