REKTORJA MALAJ TAKOHET ME PËRFAQËSUESIT E STUDENTËVE TË UKZ-SË: DIALOGU DHE BASHKËPUNIMI THELBËSOR PËR CILËSINË AKADEMIKE
Gjilan, 20 Tetor 2026 – Rektorja e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, znj. Fitore Malaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e studentëve nga të gjitha njësitë akademike të universitetit.
Në këtë takim u diskutua për çështje me rëndësi për jetën studentore, cilësinë e studimeve dhe avancimin e proceseve akademike.
Gjatë bisedës u trajtuan nevojat dhe sfidat e studentëve, përmirësimi i kushteve të studimit, organizimi i procesit mësimor, si dhe rëndësia e komunikimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit ndërmjet stafit dhe studentëve.

Rektorja Malaj theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të studentëve në proceset që lidhen me jetën akademike:
“Dialogu i hapur dhe bashkëpunimi i ndërsjellë janë thelbësorë për adresimin e çështjeve me interes të përbashkët, për krijimin e një mjedisi akademik cilësor, gjithëpërfshirës dhe mbështetës për të gjithë studentët.”
Ajo vlerësoi rolin e përfaqësuesve të studentëve në përcjelljen e kërkesave, ideve dhe propozimeve nga të gjitha njësitë akademike.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e studentëve falënderuan rektoren Malaj për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim. Ata theksuan se Universiteti Publik “Kadri Zeka” është i të gjithëve dhe se vetëm përmes angazhimit të përbashkët, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mund të arrihen rezultate në të mirë të gjithë komunitetit akademik.
Studentët shprehën gatishmërinë për të kontribuar aktivisht në zhvillimin e universitetit, duke vënë në pah rëndësinë e unitetit dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen e institucionit.
