Rama paralajmëron për rrezikun e humbjes së Lojërave Mesdhetare 2030: Institucionet duhet të veprojnë urgjentisht
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon ta humbasë të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, nëse institucionet përgjegjëse nuk i përmbushin me kohë obligimet financiare dhe kërkesat e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
Në një intervistë për KosovaPress, pas përfundimit të Samitit të Ballkanit, të mbajtur të hënën në Prishtinë, Rama theksoi rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe të përmbushjes së detyrimeve për të shmangur rrezikimin e organizimit të kësaj ngjarjeje sportive.

Ai bëri të ditur se në letrën e dërguar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare te kryeministri, kryetari i Prishtinës dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, janë ngritur shqetësime lidhur me pagesat e papërfunduara dhe mungesën e përgjigjeve ndaj kërkesave të këtij institucioni.
“Ka rrezik real”, deklaroi Rama, duke theksuar se institucionet duhet ta trajtojnë këtë çështje me seriozitetin më të madh dhe të zhvillojnë takime të vazhdueshme deri më 19 dhjetor, kur synohet të qartësohet përmbushja e të gjitha obligimeve.
Përveç sfidave që lidhen me përgatitjet organizative, Rama vlerësoi se Samite të tilla krijojnë mundësi për tërheqjen e investitorëve dhe përfshirjen e kompanive në projektet infrastrukturore që lidhen me Lojërat Mesdhetare.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 konsiderohet një mundësi për zhvillimin e sportit, promovimin ndërkombëtar të Kosovës, rritjen e turizmit dhe nxitjen e investimeve. Megjithatë, për realizimin e këtij projekti, institucionet duhet të adresojnë me kohë obligimet dhe shqetësimet e ngritura nga organizatorët ndërkombëtarë. /Kp/
