IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Gjilan, dyshohen për keqpërdorim të detyrës
Dyshohet se ndaluan një qytetar, i morën telefonin pa urdhër dhe ushtruan abuzim verbal.
GJILAN, 16 Tetor 2026 – Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Sipas komunikatës zyrtare të IPK-së, të dy zyrtarët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.


Sipas të dhënave fillestare të hetimit, ngjarja ka ndodhur më 15 tetor 2026 rreth orës 23:00 në Gjilan.
IPK bën të ditur se zyrtarët policorë “dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare, ku pretendohet se ndaj tij është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia, përfshirë marrjen e telefonit të tij pa urdhër të Prokurorit të Shtetit”.
Hetuesit e IPK-së theksojnë se dyshimet fillestare sugjerojnë se veprimet e pretenduara “mund të kenë ndërlidhje me një ankesë të parashtruar nga i njëjti qytetar në korrik të vitit 2026, ndaj zyrtarëve policorë në fjalë nën dyshimin për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore”.
Rekomandimi për suspendim është dhënë sot nga IPK, pas ndërmarrjes së veprimeve të para hetimore.
“Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit ligjor për hetimin e dyshimeve për veprime të kundërligjshme nga zyrtarët policorë, me qëllim të garantimit të llogaridhënies dhe fuqizimit të integritetit policor”, thuhet në komunikatën e IPK-së.
Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore.
