I kërkuan marrëdhënie intime në grup një gruaje, këta janë tre policët e suspenduar nga IPK-ja
B. M., E. R. dhe A. R. janë tre zyrtarët policorë ndaj të cilëve Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin, nën dyshimin për ngacmim seksual dhe kontrollim të kundërligjshëm.
Mediat raportojnë se është bërë i ditur identiteti i tre policëve të Stacionit Policor – Jugu, në Prishtinë, të cilët janë përfshirë në hetimet lidhur me një rast që dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit, në lagjen Lakërishte.
Poashtu është mësuar se policët i kërkuan marrëdhënie intime në grup një gruaje të cilën e ndaluan sa ishte duke drejtuar veturën.

Sipas ankesës së saj, më pas ata i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.
Pas veprimeve fillestare hetimore, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, ndërsa, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale lidhur me veprat e dyshuara.
IPK-ja ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe pretendimet e ngritura./Reporteri
