Në Gjilan promovohet nesër romani i parë i Ibrahim Hysenit, “Amaneti i Brezave mbi supet e Hysen Zhujës”
Nesër, duke filluar nga ora 16:00, në ambientet e bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan, do të promovohet romani i parë i autorit Ibrahim Hyseni, me titull “Amaneti i Brezave mbi supet e Hysen Zhujës”.
Kjo veprimtari organizohet në kuadër të aktiviteteve letrare “Shpalime pranë vere”, nga Asociacioni Alternativ i Shkrimtarëve të Kosovës me seli në Gjilan dhe Ars Clubi “Beqir Musliu”, me mbështetjen e nikoqirit – bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli”.
Romani, i cili njëherësh është edhe vepra e parë e Ibrahim Hysenit, është botuar këto ditë nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”.
Ngjarja do të moderohet nga shkrimtari dhe publicisti Muhamet Halili, ndërsa për librin do të flasin: editori i shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, shkrimtari Sabit Rrustemi, redaktorja e librit Kaltrinë Berisha, si dhe recensentët Nexhat Rexha dhe Zejnullah Zejnullahu.
Gjatë promovimit do të interpretohen edhe fragmente nga romani, ndërsa libri do t’u dhurohet falas të gjithë artdashësve të fjalës së shkruar që do të marrin pjesë në këtë ngjarje solemne letrare dhe kulturore.
