Investim 800 mijë euro: Furnizimi me ujë i lagjes “Iliria” dhe fshatit Berivojcë do të përmirësohet ndjeshëm
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se është duke u realizuar një projekt i rëndësishëm për ndërrimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në lagjen “Iliria” dhe fshatin Berivojcë.
Ky investim, i financuar nga Banka Botërore, kap vlerën prej 800 mijë eurosh dhe përfshin riparimin dhe modernizimin e rreth 11 kilometra rrjet ujësjellësi, duke zëvendësuar gypat e vjetruar dhe duke përmirësuar infrastrukturën ekzistuese.

Sipas Kryetarit Rahimaj, projekti do të ndikojë në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë, reduktimin e humbjeve në rrjet dhe përmirësimin e cilësisë së ujit të pijshëm për banorët e këtyre zonave.
“Investimet në infrastrukturën e ujit mbeten ndër prioritetet kryesore të komunës tonë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët”, ka theksuar Kryetari Rahimaj.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se punimet do të fillojnë së shpejti edhe në lagjen ‘Jehona’, duke zgjeruar ndikimin pozitiv të këtij investimi në zonat e tjera të komunës.
