KV Drita (Femrat) triumfon në turneun mbarëkombëtar të volejbollit “Kupa Adem Jashari” në Skenderaj
KV Drita nga Gjilani është shpallur fituese e turneut mbarëkombëtar në volejboll “Kupa Adem Jashari”, pasi në finalen e zhvilluar në Skenderaj mposhti KV Ferizaji me rezultat 3:1.
Turneu u organizua në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së UÇK-së dhe festave të marsit në Skenderaj, duke mbledhur skuadra nga Kosova dhe Shqipëria në një aktivitet sportiv që i kushtohet historisë dhe sakrificës kombëtare.
Sipas njoftimeve të publikuara nga klubet pjesëmarrëse në rrjetet sociale, ndeshjet gjysmëfinale sollën përballje interesante. KV Ferizaj siguroi finalen pasi mposhti KV Skenderajn me rezultat 2:0, ndërsa KV Drita triumfoi ndaj KV Fushë Kosovës me rezultat 2:0.

Në finalen e turneut, skuadra nga Gjilani arriti të tregojë stabilitet dhe lojë cilësore, duke e mposhtur Ferizajn me rezultat 3:1 dhe duke e fituar trofeun e këtij turneu.
Çmimi për lojtaren më të mirë të turneut (MVP) iu nda volejbollistes së Dritës, Dhuratë H. Sylejmani.
Medaljet dhe mirënjohjet për ekipet pjesëmarrëse u ndanë nga drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Skenderaj, Kosovare Ahmeti, organizatori i turneut Agron Istogu, nënkryetarja e Federatës së Volejbollit të Kosovës, Emine Ramadani, si dhe zyrtarë të tjerë të Federatës së Volejbollit të Kosovës.
Në këtë turne morën pjesë gjashtë ekipe nga Kosova dhe Shqipëria: Partizani nga Tirana, Teuta nga Durrësi, Drita nga Gjilani, Ferizaj, Fushë Kosova dhe Skenderaj.

Turneu “Kupa Adem Jashari” organizohet në nderim të historisë dhe sakrificës kombëtare, duke bashkuar sportin me aktivitetet përkujtimore të muajit mars në Skenderaj.
