Pastrohet deponia e mbeturinave në Moqare të Kamenicës
Sipas njoftimit të publikuar nga Komuna e Kamenicës, është realizuar aksion për pastrimin dhe rregullimin e deponisë së mbeturinave në fshatin Moqare.
Njoftimi është bërë nga Drejtoria për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, e cila ka bërë të ditur se ndërhyrja ka ardhur pas daljes në terren dhe evidentimit të gjendjes në këtë zonë.
Nga komuna u është bërë thirrje qytetarëve që të shmangin hedhjen e mbeturinave në afërsi të lumit, duke theksuar se ndotja e tillë ndikon negativisht në mjedis dhe në cilësinë e jetesës së banorëve.
Po ashtu, autoritetet komunale kanë njoftuar se hapësira në fjalë është nën mbikëqyrje me kamera dhe se çdo rast i hedhjes së mbeturinave do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë shqiptimin e gjobave.
Institucionet lokale kanë paralajmëruar se kontrollet në terren do të vazhdojnë edhe në zona të tjera me qëllim parandalimin e krijimit të deponive të paligjshme.
