Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, falënderoi presidenten Osmani për angazhimin në mbrojtje të shqiptarëve të Luginës
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka shprehur falënderimet e tij të sinqerta ndaj presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për angazhimin e vazhdueshëm dhe të vendosur në avokimin e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në arenën ndërkombëtare.
Pajaziti ka vlerësuar lart përkushtimin e presidentes Osmani që kjo çështje të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë takimet dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, ky angazhim përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të padrejtësive me të cilat përballen shqiptarët e Luginës

Ai ka theksuar se fjalimi i presidentes Osmani në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u ngrit zëri për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ka qenë një akt i guximshëm shtetëror dhe një moment me peshë të veçantë politike. Sipas Pajazitit, ky adresim, i mbështetur nga angazhimi i saj diplomatik me partnerët amerikanë, e ka vendosur çështjen e shqiptarëve të Luginës në një nivel të ri dhe më serioz të vëmendjes ndërkombëtare

Kryetari i Bujanocit ka nënvizuar se angazhimi i vazhdueshëm i presidentes Osmani dëshmon se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata jetojnë dhe se Lugina e Preshevës ka një zë të fuqishëm dhe dinjitetshëm në përfaqësimin më të lartë shtetëror.
Në fund, Pajaziti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen, përkushtimin dhe rolin aktiv të presidentes Osmani dhe bashkëpunëtorëve të saj në afirmimin e të drejtave dhe aspiratave legjitime të shqiptarëve të Luginës.
