Leonita Agaj, futbollistja gjilanase që synon majat e futbollit ndërkombëtar
Futbollistja me origjinë nga Gjilani, Leonita Agaj, ka pasur një rrugëtim mbreslënës, atraktiv e ambicioz.
Posedon tipare sulmuese të spikatur, është lindur në Gjilan, qytet që thotë se i ka dhënë forcën, amiciet dhe krenarinë për të filluar dhe gradualisht për të ndërtuar karrierën e saj si futbolliste.
“Që nga hapat e parë në futboll, kam qenë e vendosur që të përfaqësoj me dinjitet vendlindjen time dhe të arrij suksese të rëndësishme në këtë sport”, shprehet ajo për TV Gjilani.

Rrugëtimi i saj si futbolliste ka filluar në FC “Intelektualët” ku ka punuar me elan të theksuar e vullnet të pashoq, me ritëm e intensitet të lartë për tri vite me radhë, për të ndërtuar identitetin e saj prej futbollisteje të spikatur. Ato Ishin paraqitjet e saj të mira që nxitën kurreshtjen e drejtuesve të disa ekipeve për të shfaqur interesim ta kenë në radhët e tyre.
Pas një pune të vazhdueshme e të palodhshme paraprakisht, vjen koha që ajo të vendosë për të ardhmen e saj në FC 2 Korriku – Girls Academy.
“Ky hap ishte vendimtar në zhvillimin tim si futbolliste pasi në këtë klub fillova të ndërtoj identitetin tim sportiv, të fitoj besimin e ekipit dhe të vendos themelet e karrierës sime drejt futbollit profesionist”, shprehet ajo.

Ndonëse ka arritur një nivel të jashtëzakonshëm profesional, Leonita synon shumë më shumë. Ajo shprehet mirënjohëse e falënderuese për kryetrajneren, Florentina Kallaba, për të cilën tregon se ka luajtur rol kyç në udhëheqjen e saj, për ta bërë lojtare të spikatur me tipare të një sulmuese ambicioze.
Përvec saj, edhe trajneri Ismail Berisha, ka luajtur rol të rëndësishëm në formimin e formësimin e saj profesional si futbolliste, me mbështetjen permanente qw i ka ofruar në ekip.
E numri i trajnerëve profeionistë të saj është akoma më i madh. Në rrugëtimin e saj ambicioz, ajo është përkrahur edhe nga menaxheri Sedat Limani, i cili e ka mbështetur vazhdimisht, për c’gjë Leonita shprehet mirënjohëse.

Leonita shquhet sidomos në repartin ofansiv, si sulmuese e lindur, ndërsa spikatë me lojë dinamike, me shpejtësi dhe instinkt të posacëm të lindur që ka për golin!
“Në fushë jam lojtare që kërkon hapësira, krijon aksione dhe ndërton lojë ofensive me vendosmëri të lartë”, shprehet ajo.

Ndër vecoritë tjera që e dallojnë, janë pasimet adekuate e të sakta, në veçanti në situata sulmuese; goditjet e forta dhe precize me të dyja këmbët që e bëjnë të rrezikshme nga çdo distancë; kontrolli i sigurtë i topit, shpejtësia në lëvizje; vizioni i qartë i lojës me aftësi për të krijuar raste dhe asistime vendimtare, si dhe mentalitet fitues e përkushtimi i pandalshëm në stërvitje e aktivitete tjera garuese.
SUKSESET
Ndër sukseset e saj që vlejnë të vecohen, si në rrafshin vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar, janë si në vijim: – Titulli i Kampionit vendor me skuadrën e saj, 2 Korriku, ku Leonita përgjatë rrjedhës së edicionit garues ka spikatur me paraqitje dinjitoze; Pastaj fitimi i turneut prestigjioz në Gjermani, në të cilin janë përfshirë klube nga e gjithë bota, të cilën turnir Leonita e konsideron arritje të jashtëzkonshme, fillimisht për ekipin e saj dhe vet atë.
Më tej ajo saktëson rolin e saj në vazhdimësi si futbolliste duke kontribuar me gola, asiste si dhe paraqitje të qëndrueshme në ndeshje të rëndësishme. Poashtu vë në pah edhe pjesëmarrjen në kampin zyrtar të Arsenalit në Prishtinë ku u vlerësua potenciali i saj si lojtare e dalluar.
Ndonëse me një mori suksesesh gjithandej, ajo ndjehet krenare për prejardhjen e saj nga Gjilani, qytet për të cilin thotë se i ka dhënë shtytje, forcë e motiv të jashtëzakonshëm.
“Gjilani është forca dhe motivi im. Çdo sukses që arrij e shoh si një hap për të përfaqësuar qytetin tim në nivele sa më të larta, duke dëshmuar që talenti dhe puna e vajzave nga Gjilani mund të shihen edhe në arenën ndërkombëtare”, tha ajo, enkas për TV Gjilani.
“Jam krenare për rrugëtimin tim deri tani – nga “Intelektualët” e Gjilanit te “FC 2 Korriku”, nga fushat e vendlindjes te trofetë kombëtare dhe ndërkombëtare. Çdo hap është dëshmi e përkushtimit dhe ëndrrës që vazhdoj ta ndjek”, shtoi ajo.
“Rruga ime nuk ka përfunduar – përkundrazi, ky është vetëm fillimi. Objektivi im është të vazhdoj të ngris nivelin, të përfaqësoj Gjilanin dhe Kosovën me nderë dhe të tregoj se me punë dhe zemër gjithçka është e arritshme”, shprehet e bindur Leonita.

Përkrahësit më të mëdhenjë të rrugëtimit të saj kanë qenë familjarët që e kanë mbështetur në mënyrë permanente, e të cilët vazhdojnë të qëndrojnë pas saj në cdo sfide e sukses.
Vlerësim tejet pozitiv për Leonitën ka edhe menaxheri i saj, Sedat Limani. Ai ka theksuar se Leonita Agaj i është bashkuar FC 2 Korriku – Girls Academy në vitin 2023 dhe nga ajo ditë ka treguar një transformim të jashtëzakonshëm. Nga një formë fillestare – sipas tij – Leonita ka punuar me përkushtim, disciplinë dhe vullnet të madh për t’u rritur. Sot ajo është një lojtare shumë më e fortë, më e pjekur dhe më vendimtare për ekipin.
Trajneri Sedat Limani, poashtu vë në dukje edhe cilësitë tjera që ka Leonita Agaj si futbolliste me tipare sulmuese, e të cilat e kanë ndihmuar që të shënoj gola dhe të realizojë asiste kyçe. Sipas tij, Leonita ka qenë shpesh vendimtare në ndeshjet më të vështira të skuadrës duke e ndihmuar të marrë rezultate të rëndësishme.
“Rritja e saj është shembull motivimi për të gjitha vajzat e akademisë dhe një dëshmi e punës së palodhur që ajo bën çdo ditë”, ka shtuar në fund, trajneri Limani.
Emri: Leonita Agaj
Pozita: Sulmuese
Klubi: FC 2 Korriku – Girls Academy
Vendlindja: Gjilan
