Gjilan: Në një vjetorin e ndarjes nga jeta, në Muzeun Etnografik të Qytetit u vendos viola e Prof. Isa Jakupi
Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të ikonës së artit muzikor gjilanas, prof. Isa Jakupi, familja, kolegët dhe dashamirët e muzikës u mblodhën në Muzeun Etnografik të Qytetit — në hapësirën që dikur ishte shtëpia e vjetër e Shkollës së Muzikës, aty ku edhe prof. Jakupi punoi gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij dhe zhvilloi rrugëtimin e tij artistik.
Të pranishmit, në emër të familjes Jakupi i përshëndeti djali i tij Kushtrimi, i cili theksoi se familja Jakupi sot po e vendos violinën e prof. Jakupit në ambientet e muzeut etnografik si akt simbolik por edhe domethënës.

“Sot nuk jemi këtu për të kujtuar humbjen, por për të nderuar dritën që ai la pas… Sot, Babit, ne nuk po i themi lamtumirë por po e vendosim në vendin që meriton – në kujtesën kolektive të qytetit, në historinë kulturore të kësaj treve, në zemrat tona…

“Kjo violinë nuk është dëshmi e një fundi, por e një vazhdimi. Është një ftesë për të rinjtë që të ëndërrojnë, për artistët që të krijojnë, për ne të gjithë që të kujtojmë sa shumë mund të japë njeriu kur e jeton artin me shpirt”.
“Në këtë ceremoni përkujtimore, në këtë Muze u vendos violina e profesorit, instrumenti që e shoqëroi gjatë gjithë jetës së tij profesionale, krah pianos me të cilën ai formoi breza të tërë nxënësish”.
“Çdo gurë i kësaj shtëpie-muze ruan një pjesë të historisë së tij, ndërsa sot u shtua edhe një simbol i ri i trashëgimisë së tij muzikore”.

Gjatë aktivitetit u interpretuan edhe tre këngë premierë nga krijimtaria e prof. Jakupit , dueti Hekuran Bllaca & Albina Jakupi, Herolinda Bucaliui dhe Ernesa Surdulli si një dëshmi se muzika e tij vazhdon të jetojë dhe të ecë përpara.

Prof. Isa Jakupi besonte se njeriu jeton aq sa jeton vepra e tij. Tingujt që u ngritën në heshtjen solemne të muzeut këtë mbrëmje e dëshmuan edhe një herë se ai mbetet i pranishëm në çdo notë që emocionon, në çdo fëmijë që mëson, në çdo zemër që prek muzika.
Në përmbyllje të ceremonisë, prof. Argëtim Bajrami, me violinën e prof Isasë interpretoi kryeveprën e tij, këngën “Sy jeshile gojsheqere”, duke dhuruar emocione të forta për audiencën dhe duke vërtetuar edhe një herë se shpirti i një artisti jeton përmes këngës dhe veprës së tij. Kujtimi për prof. Isa Jakupin mbetet një dritë e qetë — e butë, e dhimshme dhe e përjetshme.
