Delegacioni i UKZ-së ka marr pjesë në Konferencën e OSBE-së për Lirinë e Mendimit, Ndërgjegjes dhe Besimit
Një delegacion nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mori pjesë në konferencën e organizuar nga OSBE – Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), kushtuar temës “Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit (FoRB)”.
Delegacioni i UKZ-së përbëhej nga Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, Dekane e Fakultetit Juridik, Arnesa Sahiti, Asistente në Fakultetin e Shkencave Sociale, dhe Lizë Maliqi, pjesë e kabinetit të Rektorit të UKZ-së.

Konferenca mblodhi së bashku dekanë, profesorë dhe studentë të juridikut dhe teologjisë nga universitetet publike dhe kolegjet private të Kosovës, si dhe përfaqësues të shkollave teologjike, për të diskutuar me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë rreth implikimeve praktike të lirisë së besimit dhe ndërgjegjes në arsim dhe shoqëri.
Diskutimet u fokusuan në rolin e lirisë së besimit në raport me të drejtat e tjera themelore, në mënyrën se si kjo temë trajtohet në kurrikulat universitare, si dhe në angazhimin e studentëve me përmbajtje që lidhen me tolerancën dhe diversitetin fetar. Panelistët prezantuan shembuj konkretë të rëndësisë që ka FoRB për komunitetet shumicë dhe pakicë, duke rekomanduar metoda bashkëkohore për trajtimin e çështjeve të urrejtjes me motiv fetar në procesin arsimor.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar për të mbajtur aktiv rolin e tij në dobi të shoqërisë, përmes promovimit të vlerave të dialogut, tolerancës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
