Dhjetor apo shkurt, opsionet për zgjedhje të jashtëzakonshme
Pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar shumicën parlamentare dhe për të formuar qeverinë e re, skenari më i mundshëm për vendin mbetet mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas seancës së Kuvendit, deklaroi se partia që ai drejton nuk do të pranojë mandatin për formimin e qeverisë, duke theksuar se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk do të pranojë mandatin për formimin e qeverisë. Pa vonesë duhet të konsumohen procedurat në mënyrë që të shkojmë në zgjedhje,” tha Krasniqi.
Për të njëjtin opsion është shprehur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili në seancë deklaroi se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
Deputeti Nenad Rashiq, në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të mbahen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm.
Rashiq shtoi se nëse skenari i zgjedhjeve bëhet i pashmangshëm, ato mund të mbahen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm. “Ka dy variante – ose deri në mesin e dhjetorit, ose në fillim të shkurtit. Por, më realja është që zgjedhjet të organizohen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit”, tha ai
