
Në qytetin e gjëzave – Gjilan, mbahen takimet e X-të jubilare të enigmatikës së Kosovës
Më 25 tetor 2025 në qytetin e gjëzave në Gjilan, organizohen” Takimet e dhjetë jubilare të enigmatëve të Kosovës.

Sipas njoftimit të paradokohshëm nga ana e Rehep Hasanit, paralajmërohet se në kuadër të shënimit të 45-vjetorit të Sh. E. “Ndre Mjeda”, (1980- 2025), do të organizohen garat apo Kampionati i Kosovës në zgjidhjen dhe sajimin e gjëzave.

Pjesa e sajimit të gjëzave, (fjalëkryqe dhe anagramë), do të bëhet me korrespondencë, ku garuesit kanë për detyrë të sajojnë fjalëkryqin klasik me format 10/8 dhe është e obligueshme që në diagramin e dhënë të shënohet emri i qytetit të gjëzave – GJILAN.
Detyrë tjetër është sajimi i ANAGRAMËS nga këto fjalë: DYZET E PESË VITE NË ENIGMATIKË.
Sipas njoftimit, thuhet se qëllimi është të afirmojmë dhe ruajmë traditën e pasur enigmatike shqiptare. Tri vendet e para si në garën e sajimit poashtu dhe në zgjidhje do të shpërblehen.
Dita e fundit e dërgimit të punimeve është 15 tetori 2025 kurse punimet dërgohen në adresën elektronike: she.ndremjeda@gmail.com.
25 tetori 2025 është data e mbatjes së TAKIMEVE TË DHJETA JUBILARE TË ENIGMATËVE TË KOSOVËS në Gjilan dhe garat dhe Takimi do të zhvillohen në lokalet e Bibliotekës së Qytetit, në orë 12.00.
Pritet ardhja e gjëzakrijuesve dhe dashamirëve të gjëzave moderne nga shumë qytete të Kosovës, nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut etj. Gjëzakrijuesit duhet t’i përmbahen rregullave gjuhësore dhe enigmatologjike.

SHOQATA E ENIGMATËVE “NDRE MJEDA” – Shkollë e enigmatikës shqiptare
Para 45 vjetësh u themelua Shoqata e Enigmatëve “Ndre Mjeda”, 4 tetor 1980 në Gjilan, me iniciativën e dr. Zijadin V. Hasani, së cilës iu bashkangjitën Ing. Xhelal Selmani, piktor, Rasim Vllasaliu dhe ing. Fadil Dërmaku.
Shoqata e enigmatëve ” Ndre Mjeda” ka luajtur një rol me rëndësi në popullarizimin dhe zhvillimin e enigmatikës në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti.
Shoqata organizoi gara, kampionate në zgjidhjen dhe përpilimin e gjëzave të llojeve të ndryshme, duke filluar nga garat lokale, pastaj ato kombëtare dhe mori pjesë në disa Kampionate për zgjidhjen e gjëzave klasike dhe atyre logjike (WORLD PUZZLE CHAMPIONSHIP).
LEXO EDHE:
Pa dyshim me daljen e revistës Horizonti fillon të kultivohet edhe një pjesë tjetër e enigmatikës, pjesë përbërëse e saj- Enigmatika MODERNE. Kështu që me të drejtë mund të thuhet se “Horizonti” shërbeu si shkollë shqiptare e enigmatikës.

Ç’është pra enigmatika?
Enigmatika është shkathtësi e përpilimit dhe zgjidhjes se enigmave. Ajo është formë specifike e krijimtarisë mendore. Enigmologjia (GJËZAKUPTIMI) është dhe shkencë që studion enigmat në përgjithësi, hulumton dhe shqyrton rregullat e përpilimit, të zgjidhjes, historikun dhe nënllojet e tyre.
Kruciverbologjia (lat. Crux-kryq, verbum-fjale), është degë e enigmologjisë e cila studion rregullat e sajimit dhe të zgjidhjes, historikun dhe nënllojet e fjalëkryqeve.
ENIGMATIKA ose ENIGMATOLOGJIA konsiderohet Art i dhjetë i krijimtarisë, kurse studiuesit e teorisë së gjëzave thonë se ENIGMATIKA është LINGUISIKË ZBAVITËSE.
Revista “Horizonti” ishte shkollë e enigmatikës shqiptare për të gjithë ne, veçan fillestarët, sepse para daljes se “Horizonti”-t, botoheshin kryesisht gjëza, rebuse dhe rrallë ndonjë fjalëkryq, e mos te flasim për llojet e tjera të enigmave dhe Rregullat e sajimit të tyre .
Në “Horizonti” nisën të sajohen gati të gjitha llojet e enigmave të njohura. Kjo revistë për herë të parë filloi së botuari artikuj për çështje teorike të enigmatikës dhe rubrika të veçanta për të, siç janë : enigmologu, nga teoria e enigmatikës; artikuj mbi rregullat e sajimit të enigmave dhe aktivitetin e enigmatëve tek ne dhe në botë; njoftime për takimet, garat, kampionatet e enigmatëve.
Për popullarizimin dhe zhvillimin e enigmatikës në gjuhën shqipe redaksia inicoi bibliotekën e emërtuar Enigmatikë dhe me 1994 në kuadër të kësaj biblioteke dolën disa vepra: Fjalori e enigmatikës me tre shkronja dhe “Fjalori enigmologjik me 4 shkronja i Dr. Zijadin Hasani, si dhe “Gjej e qesh”, me enigma te rimuara i autorit Xhemail Halili, pastaj Rrokjekryqe magjike 4 X 4 dhe Rrokjekryqe magjike 5 X 5, si dhe 6 X 6 (2023), të autorit tonë Dr. Zijadin V. Hasani, anëtar themelues i SH.E. “Ndre Mjeda” dhe kryredaktor i revistës “Horizonti”.

Pjesëmarrja e enigmatëve gjilanas në kampionatet botërore në zgjidhjen e enigmave World Puzle Championship, 6- th World Puzzle championship.
- 23-28 shtator 1997, Koprivnicë(Kroaci)
- 7-th WPC , 22-27 shtator 1998,Stamboll (Turqi)
- 8-th WPC, 6-11 tetor 1999, Budapest (Hungari)
- 11-th WPC , 24-29 shtator 2002, Oulu (Finlandë)
- 12-th WPC, 14-19 tetor 2003, Arnhem, Papendal National Sports Center (Holandë)
- 13-th WPC,12-17 tetor 2004, Opatija (Kroaci)
- 18-th WPC, 3-8 Nëntor 2009, Antalia (Turqi)
Është e ditur se qasja ndaj enigmave është shprehje e mentalitetit të ndonjë populli. Kështu gjermanët enigmave iu qasen shkencërisht, italianët gjithashtu iu qasen seriozisht por në trajtë loje, sporti. Mbase kjo vlen në përgjithesi ose së paku për pjesën më të madhe të popujve romanë (neolatin).
Se shqiptarët enigmave iu qasen shkencërisht, veçan enigmave popullore, e konfirmon botimi i teksteve, siç është Folklori shqiptar – gjëegjëzat, Tiranë, 1968, dhe ndonjë botim tjetër.
Zgjidhja e enigmave e vërteton dhe ilustron parimin e poetit romak Horaci: DULCE CUM UTILE, pra ndërlidhja e të këndshmes me të dobishmen.
Redaksisë më vonë iu bashkangjiten dhe enigmatët e tjerë – Xhevat Ruhani, Faik Shkodra, Xhemail Halili, Avdush Canaj, Arbëresh Dalipi, Enver Hajrullahu, Nexhat Hajrulahu, Abdylmexhit Selmani, Xhelal Mustafa etj.
Për popullarizimin e enigmatikës ndihmesë të madhe kanë dhënë dhe shumë gazetarë, shkrimtarë, gjuhëtarë, Mehmet Halimi, Hasan Bunjaku, Faik Shkodra, Baftijar Kryeziu, Zijadin Munishi, Nuhi Ismajli, Ibrahim Kadriu, Sabit Rrustemi, Avdush Canaj, Xhemë Karadaku. Në Horizonti, gjithashtu u botuan artikuj, shkrime për ngjarje e manifestime të enigmatëve në Kosovë dhe në botë.

Themeluesit e SHE “Ndre Mjeda”: dr. Zijadin V.Hasani, Ing. Fadil Dërmaku, Rasim Vllasaliu piktor, ing. Xhelel Slmani.
Autor: Dr. Zijadin Hasani, kryeredaktor i Revistës “Horizonti”
