
Nis shtrimi i asfaltit në urën e re mbi lumin Ibër
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka nisur shtrimi i asfaltit në urën dhe rrugët që lidhin urën në jug e veri të lumit Ibrit.

“Vetëm 54 ditë prej kur filluam. Sot po shtrohet asfalti në urë dhe rrugët që e lidhin urën në jug e veri të Ibrit”, ka shkruar Durmishi në Facebook, duke ndarë edhe foto nga vendi i punimeve.
Ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër u përurua më 1 korrik. Njëra urë është dedikuar vetëm për këmbësorë, ndërsa tjetra do të shërbejë për automjete dhe këmbësorë. Të dielën u publikuan foto të njërës urë të ndriçuar.
Urat janë paralajmëruar të hapen për përdorim në shtator, duke lehtësuar komunikimin dhe lëvizjen në këtë zonë.
