
Thirret për nesër seanca konstituive e Kuvendit, deputetët mblidhen në ora 11:00
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit. Kjo pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që i obligon deputetët ta konsitutojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.

Seanca është thirrur për në ora 11:00.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në rend të ditës janë dy pika – zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Me publikimin e aktgjykimit të Kushtetueses, ditën e hënë, ka hyrë në fuqi edhe afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit.
Gjykata ka theksuar se deputetët janë të detyruar që jo më vonë se 30 ditë të përmbyllin seancën konstituive duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Sipas Kushtetueses, për shkak se seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar në përputhje me aktgjykimin në rastin KO124/25, procesi duhet të rikthehet në fazën ku kishte mbetur, teksa seancat nga data 27 qershor deri më 26 korrik, janë shpallur të pavlefshme.
“Në vijim të kësaj, Gjykata sërish vë në dukje parimet dhe standardet që ndërlidhen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ashtu siç është specifikuar më lart, Gjykata rithekson që mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën mosrespektim të Kushtetutës. Prandaj, në kuptim të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç është afirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, masat e nxjerra për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë legjitime, (shih paragrafin 69 të Opinionit CDL-AD (2017) 003). Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata vlerëson që, për faktin që seancat e deritanishme nuk janë zhvilluar sipas Aktgjykimit në rastin KO124/25, procesi duhet të kthehet në fazën që kishte mbetur. Për këtë arsye, Gjykata thekson që vazhdimi i Seancës Konstituive me qëllimin për të konstituuar dhe funksionalizuar Kuvendin e Republikës së Kosovës është në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe që vazhdimi i Seancës Konstituive konsiderohet si i domosdoshëm në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës si organ përfaqësues, ligjvënës dhe mbikëqyrës të jetë plotësisht funksional në ushtrimin e mandatit kushtetues.”, thuhet në nenin 132 të këtij aktgjykimi të Kushtetueses.
