Abdixhiku: Trashëgimia e Rugovës, frymëzim për të ardhmen e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës sot shënon 35 vjetorin e themelimit. Me këtë rast, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe tek varri i presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Në 35 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes më të madhe kombëtare për Liri, Pavarësi e Demokraci, zhvilluam homazhe tek varri i prijësit historik të LDK-së, Presidentit Historik të Kosovës, Atit Themeltar të Republikës, Dr. Ibrahim Rugova.
LDK nisi si aspiratë e popullit të Kosovës për liri, gjersa programi politik i saj, u shndërrua në projekt kombëtar të popullit të Kosovës. Ky projekt kulmoj me shtetin tonë, Republikën tonë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shtuar se Ibrahim Rugova ishte dhe mbetet arkitekti i shtetit tonë, prijësi historik i lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Ai ishte njeriu që u qëndroi sfidave më të vështira të kohës me mençurinë, vizionin dhe qëndrueshmërinë që i karakterizojnë njerëzit e mëdhenj. Veprat e tij jetësore janë gurët themeltarë të Republikës sonë – një trashëgimi që na frymëzon dhe na udhëheq çdo ditë – ndërsa emri i tij është vlerë e patjetërsueshme e historisë së Kosovës.
LDK sot, me gjithë trashëgimtarët politik e idelogjik të rugovizmit, e ndjenë peshën e madhe historike të ndryshimit të domosdoshëm për realizimin në plotni të projektit tonë identitar të nisur 35 vite më parë. Kosova, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e BE, e me miqësi të përheshme me SHBA-të; ishte misioni ynë dje, është misioni ynë sot dhe padyshim do të jetë dhe misioni ynë nesër! Urime 23 dhjetori”, ka shkruar Abdixhiku.