Vitia po kremton festën e 28 Nëntorit
Me qëllim të shënimit të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot një seancë solemne ku është folur për rëndësinë që ka kjo festë ndër vite tek shqiptarët.
Me pas përfaqësuesit e Institucioneve komunale të Vitisë, policia e Kosovës, qytetarë, përfaqësues të subjekteve politike e të tjerë kanë bërë homazhe të varrezat e dëshmorëve në Viti, ku u përkujtuan dëshmorët e kësaj komune të cilët dhanë jetën për lirinë e këtij vendi.
Kurse në seancën solemne që u mbajt sot nga një fjalë rasti e mbajtën, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti si dhe ish kryetari i OVL-UÇK në Viti, Abdyl Bajrami.
Gjatë kësaj seance u fol për rëndësinë e kësaj ditë si dhe u përcollën urimet festive.
Më pas nën organizimin e drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Viti, pritet të realizohen edhe disa aktivitete si koncerti festiv dhe atë me fillim nga ora 16:00 në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”.
Poashtu dje në të gjitha shkollat e komunës së Vitisë, ora e parë mësimore ju është kushtuar kësaj dite historike, kurse sot pritet të zhvillohet edhe një ndeshje sportive në mes të SH.F “ Kosova” me SH.F “ Kumanova”.