Barrierat e pakapërcyeshme të grave lehona në Kosovë
Shkeljet e të drejtave të grave lehona në vendin e punës janë një çështje që ngjall shqetësim të madh në Kosovë. Ligji për Punën garanton disa të drejta themelore për gratë shtatzëna dhe lehona, duke përfshirë pushimin e lehonisë dhe mbrojtjen nga diskriminimi apo ndërprerja e padrejtë e marrëdhënies së punës, të cilat jo rrallëherë shkelen nga punëdhënësit në vend.
Përvojë të hidhur me vendin e saj të punës, pati gruaja nga Gjilani, A.S e cila ka rrëfyer se iu është dashur të largohet nga puna për shkaqe shëndetësore, porse nuk ka përfituar financiarisht siç parashihet me ligjet e Kosovës.
“Në muajin e tetë të shtatzënisë mu desh ta ndërprerja punën për shkak të pak problemeve që pata në fund të shtatzënisë. Në vendin ku isha duke punuar më thanë se mund të kthehem në punë kurdo që jam e gatshme ose kurdo që dua”, thotë A.S.
A.S, e cila ka punuar në sektorin e shitjes në një biznes të vogël privat, ka rrëfyer se ka qenë e regjistruar si punëtore, mirëpo obligimet ndaj saj nuk u kryen në periudhën pas shtatzënisë. Përkundrazi, asaj iu mohua edhe e drejta për marrjen e shtesave për lehona për një periudhë prej 6 muajsh, pasi veçse figuronte si punëtore e regjistruar vitin kur ajo ngeli shtatëzënë.
Çka ju garanton ligji nënave të reja?
Me Ligjin e punës në Kosovë, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.
Ndërsa grave që nuk është në mardhënie pune shtesat e lehonave i takojnë për 6 muaj nga Qeveria.
“Kompani ku punoja nuk ka kryer obligimet ndaj meje siç e parasheh ligji, por edhe më shumë më shkaktuan telashe dhe më pamundësuan që t’i marrë shtesat për lehona për një periudhë prej 6 muajsh. Unë mora shtesa vetëm për tre muaj nga programi i cili ju ndan lehonave këto mjet”, deklaroi A.S.
Tutje ajo ka thënë se as nuk e ka lajmëruar rastin në organe kompetente.
“Jo nuk kam lajmëruar rastin fare, në atë kohë kam pasur problemet e mija, ishte diçka e re për mua nuk e ka pasur fare mendjen te kjo punë, por kjo ka qenë një gabim i madh nga na ime që po të më ndodhte tani nuk do të ngurroja ta denoncoja si rast”.
Në fund ajo ka bërë thirrje për të gjitha gratë, e sidomos nënat e reja “që mos të ngurrojnë të i kërkojnë të drejtat e tyre kudo që janë, dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodhë të I denoncojnë ato raste”.
Shkeljet e vazhdueshme të kompanive ndaj lehonave
Edhe Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka konfirmuar se të drejtat e grave lehona vazhdimisht shkelen në Kosovë.
“Realisht është me ligj e rregulluar statusi grave gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes dhe pas lindjes për një periudhë të caktuar deri tani është 9 muaj gratë paguhen nga punëdhënësi, mirëpo në shumë raste sidomos në sektorin privat ka shkelje drastike, ku posa ta mësojnë se gruaja është shtatzënë ose e gjejnë një pretekst duke e larguar nga puna, ose nuk ia paguajnë kontributet që ju takojnë”, ka deklaruar ai.
Ai thotë se “KMDLNJ ka avokuar që nga fillimi që periudha e kompensimit e nënave që lindin të zgjatet për së paku 1 vit po ndoshta edhe 1 vit e gjysmë në mënyrë që ato të kenë më shumë mundësi të kujdesen për fëmiun dhe ta marrin veten pas lindjes”.
Sipas Shalës kjo çështje flitet me të madhe në fushata parazgjedhore, posa përfundon fushata kjo çështje kthehet në pikën zero.
“Mirëpo deri tani nuk ka një përkrahje për këtë iniciativë përveçse gjatë fushatave zgjedhore thuajse të gjitha subjektet politike me iniciativën e tyre e tejkalojnë edhe akuzën më të madhe për të drejtat e grave lehona, ndërsa posa të përfundojnë fushatat kjo çështje kthehet në pikën zero”, tha Shala.
“Nuk është se nuk i kanë të drejtat por ato duhet të kenë shumë më tepër se që i kanë aktualisht”
“Kemi pasur raste kur ua kanë ndërprerë marrëdhënien e punës posa e kanë marrë vesh se është shtatzënë, kemi pasur raste që nuk ua kanë paguar kontributet që i takojnë sipas ligjit dhe i kemi adresuar të gjitha këto ankesa”, ka deklaruar ai.
Arjeta Maka, koordinatore në OJQ “Gruaja Hyjnore” thotë se gratë në Kosovë ende përballen me barriera të mëdha.
“Përderisa është bërë progres drejt barazisë gjinore, gratë ende hasin barriera të rëndësishme brenda vendeve të punës si paga e pabarabartë, pushimi i lehonisë si promovim i kufizuar i mundësive, sfidat në ekuilibrimin punë-jetë dhe diskriminimi në vendin e punës vazhdojnë të jenë si çështje të që duhet përmirësuar ku me aktet ligjore në fuqi në Kosovë, çdo grua ka të drejta të mbrojtura nga Ligji i Punës gjatë periudhës së shtatzënisë dhe pushimit të lehonisë”, ka thënë Maka.
Ndërkohë Psikologu, Rron Kastrati, thotë se trajtimi që grave iu bëhet gjatë dhe pas shtatëzanisë ndikon në gjendjen e tyre mendore.
“Hulumtimet thonë se paragjykimi gjinor është i pranishëm brenda organizatave, stereotipet po ashtu janë prezentë për gratë dhe ndikojnë shpejtë në mënyrën se si një grua shihet dhe trajtohet në punë dhe kjo mund të shkaktoj stres kronik e të cilat pastaj në qoftë se përballen apo i ekspozohen këtij stresin të ushtruar nga punëdhënësit mund të sfidohen edhe me episode të depresionit pas natal pas lindjes”, deklaroi psikologu Kastrati.
Sipas tij një grua me patjetër duhet të ketë një përvojë unike gjatë shtatzënisë, dhe kjo përvojë duhet të jetë e kujdesshme e monitoruar, e mbështetur jo vetëm nga institucionet por edhe nga familja.
“Punëdhënësit nuk duhet të ndërmarrin asnjë lloj veprimi anti favorizues ose diskriminues as edhe ndonjë procedurë disiplinore sepse këto janë në një periudhë të mbrojtur. Si mund ta parandalojmë këtë lloj diskriminimi apo trajtimi të pabarabartë të shtatzënisë dhe në fazën pas natale”, ka theksuar ai.
Autore: Resmije Sadiku
Ky artikull financohet nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për shoqërinë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor” që zbatohet nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA).
Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e zbatuesve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA), Qendrës për Promovimin e Shoqërisë Civile (CPCD), Qendrës për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) apo Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).