Gjilanasja Majlinda Sylejmani synon të bëhet shqiptarja e parë deputete në Parlamentin Zviceran
Intelektualja nga Gjilani, Majlinda Sulejmani, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, është shqiptarja që synon postin e deputetes në zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin e Zvicrës!
Ajo prej kohësh jeton e vepron në Zvicër, ku ka emigruar që në fëmijëri me familje. Intelekti i saj, zgjuarësia e mençuria, janë vetëm disa nga tiparet që e dallojnë, duke e bërë tejet të shkathtë e ambicioze në jetë.
Majlinda ia ka dalë të prekë majat e suksesit, duke u integruar e shkolluar fillimisht në fushën e mjekësisë në Zvicër, për t’u angazhuar më tej si menaxhere e klinikave ambulantore, njëherit profesore e lëndëve të caktuara të mjekësisë, ndërsa kulmin e suksesit e ka dëshmuar para së gjithash si një biznesmene shumë e suksesshme, duke operuar si në fushën e marketingut ashtu edhe atë të menaxhimit të ordinancave me degën në Kosovë.
Majlinda është figurë karizmatike e shumëdimensionale si personalitet. Merret me sport aktivisht, në cilësinë e trajneres së futbollit, sikurse që është admiruese e artit, por mbi të gjitha “zemra i rrah më kumbueshëm e me ritëm më të shpejtuar” për politikë.
“Majlinda Sulejmani na i ndriçon zemrat edhe në politikë në Zvicër, duke qenë shumë aktive në këtë fushë, e fokusuar me veprimtarinë e saj në Partinë e Mjedisit (CVP)”, thonë mikeshat e saj.
Gjatë betejave politike ajo mori pozicione të forta në kantonin e saj, duke udhëhequr politika të mirëfillta për emigrantët shqiptarë, si dhe duke ngritur në mënyrë të vazhdueshme zërin e saj, për integrimin sa më të madh dhe avancimin e forcimin e rolit të shqiptarëve në shtetin Zviceran.
Shtrirja e politikave të saj është e fokusuar kryesisht në ngritjen e kapaciteteve për ekonomi të mirëfilltë tregu; barazi shoqërore; mbrojtje të mjedisit; si dhe ngritje të pozicionit vendimmarrës për shqiptarët. Ajo përfaqëson shpresat, aspiratat dhe interesat e çdo qytetari në kanton, pavarësisht bindjeve politike, pasi angazhohet me një gamë të gjërë të njerëzve, në funksion të arritjeve permanente e në dobi të qytetarëve.
Ajo shquhet si profili i një politikane të rafinuar, me një personalitet tejet të veçant e të disciplinuar, me shërbime vetëmohuese e cilësore në fushën primare të foksuit të saj profesional, atë të mjekësisë, për të bërë sa më të mirë jetën e qytetarëve. Cilësitë premtuese të saj mbështeten shpesh nga aftësitë, përvojat, nga inteligjenca e integriteti i saj, të cilat cilësi i paraprijnë synimeve të saj që merr mbi vete për t’i realizuar. E të gjitha ato karakteristika dhe tipare të kombinuara formësojnë profilin e individualitetin e saj, gjithnjë me synim parësorë për rritjen e efikasitetit dhe integritetit të saj në shërbim për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Majlinda Sulejmani, si një politikane e suksesshme dhe përgjegjëse, me moralin dhe integritetin e saj që e spikasin, ka dëshmuar aftësi të veçanta për të qenë e përkushtuar qenësisht në funksion të mbrojtjes së rendit dhe ligjit. Ajo nuk pajtohet me tendencat vetanake të njerëzve. Forca më e madhe e politikanëve të mirë, siç është, Majlinda Sulejmani, vie në shprehje tek gëzimi dhe suksesi që sjellin të tjerëve, duke u shërbyer vullnetshëm e denjësisht.
Ajo është prototipi tipik i femrës politikane të mirëfilltë të cilin prototip Winston Churchill, e përshkruante atë me sa vijon: “… Ajo e cila posedon të gjitha cilësitë e mëdha të të gjithë komunitetit, sepse është cilësia që garanton të gjitha të tjerat në implementim”. Pra, ky përshkrim i shkon mjaft bukur profilit të politikanes si znj. Majlinda Sulejmani, e cila ka bërë që me punën e saj të drejtpërdrejtë dhe në interes të bashkëqytetarëve, të jetë cilësore dhe implementuese e politikave premtuese.
Së fundi, në zgjedhjet të cilat do të mbahen pas dy muajve, Majlinda do të garoj si kandidate për deputete në Parlamentin e Zvicrës, në të cilin institucion kredibil helvetik, deri më sot, asnjëherë nuk kanë arritur shqiptarët të fitojnë një ulëse, përkundër numrit mjaft të madh të tyre në Zvicër.
Partia nga e cila Majlinda Sylejmani kandidon, ka mbi 80 kandidatë, të cilët pritet të garojnë duke synuar vetëm dy ulëse, e njërën nga to, gjilanasja vetëmohuese e ambicioze, Majlinda Sylejmani.
Shih për këtë, Majlinda me vetëmohimin e saj të pashoqe, iu rrekë kësaj sfide duke marrë guximin për të dalë në ballë të qytetarëve të kantonit të St. Gallen, dhe për të kërkuar besimin e tyre, për të qenë faktor i rëndësishëm si komunitet, si dhe duke u ndihmuar në të ardhmen për t’i përfaqësuar ata qytetarë, si shqiptarja e parë në Parlamentin e Zvicrës – e mbi të gjitha – për t’i përfaqësuar politikat për gjithë shqiptarët, dhe për të forcuar rolin e tyre në shtetin zviceran.
Majlinda Sylejmani në këto zgjedhje kandidon me slloganin “Me një zemër për të gjithë”.
Kampi i saj mbështetës i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të asaj pjese, që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje dhe t’i japin besimin e përfaqësimit dhe delegimit të politikave të tyre publike nga intelektualja shqiptare, Majlinda Sulejmani!