Stuhi të forta dhe vërshime, njihuni me motin për këtë javë
Edhe kjo javë, si shumë javë të tjera, do të vijojë të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike.
Pra, përgjatë kësaj jave moti do të karakterizohet me diell dhe vranësira, e kohë pas kohe duke filluar nga orët e mesditës e deri në ato të mbrëmjes, priten zhvillime të fuqishme të vranësirave, duke gjeneruar rrebeshe lokale shiu, shkarkesa elektrike dhe breshër.
Megjithatë, në ditë të veçanta reshjet do të jenë të pranishme edhe në orët e para të mëngjesit.
Duhet theksuar se për shkak të kontrasteve të forta termike, reshjet në momente të caktuara do të jenë në formë rrëkeje, të shoqëruara me shkarkesa të forta elektrike, duke sjellur edhe vërshime lokale, sidomos në ato vende ku stuhitë do të jenë me lëvizje të ngadalshme.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila gjatë kohës me shtrëngata pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-60 km/h!
Temperaturat minimale do të luhaten prej 10 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale prej 19 deri në 25°C.
/MeteoKosova/