Xhaka dhe Shaqiri në javën e ardhshme pritet të udhëtojnë në Serbi – do të qëndrojnë rreth dy ditë në Beograd dhe Novi Sad, por askush nuk do të mund t’i shohë
Dyshja shqiptare e Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, në javën e ardhshme do të udhëtojnë drejt Serbisë për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian, të cilën do ta zhvillojnë kundër Bjellorusisë.
Për shkak të sanksioneve të UEFA-s, bjellorusët kanë zgjedhur që ndeshjet si vendas t’i zhvillojnë në Novi Sad, ku duhet të luajnë pa praninë e tifozëve.
Me vendimin e shtëpisë evropiane të futbollit, ndeshja është e mbyllur për gjithë publikun, ndërsa policia do të qëndrojë përreth stadiumit ‘Karadorde’ për të penguar çfarëdo grumbullimi në afërsi të objektit.
(Foto: Soccrates/Getty Images)
Në përzgjedhjet e trajnerit Murat Yakin nuk mund të mungojnë dy futbollistët më të mirë në Helvetikëve, ndërsa lajmi për shkuarjen e tyre në Serbi është raportuar në mediat e atjeshme.
Për dallim nga Rusia, Bjellorusia mund t’i zhvillojë ndeshjet në turnetë e UEFA-s, por jashtë vendit dhe pa praninë e tifozëve. Në kualifikimet për ‘Euro 2024’, kjo përfaqësuese ndodhet në Grupin I së bashku me Kosovën, Zvicrën, Izraelin, Rumaninë dhe Andorrën.