Teatri i Gjilanit mbledh “ajkën” skenike për ta inskenuar “Faustin” e Gëtes, me aspirata tradicionale për “Talia e Flakës 2023!”
Teatri i Qytetit të Gjilanit mëton të sjellë risi duke përzgjedhur ajkën e aktorëve, gjegjësisht ajkën e skenës, madje nga tri institucione teatrore Kosovare, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni, si dhe ai nikoqir – Teatri i Qytetit të Gjilanit.
E Teatri i Qytetit të Gjilanit, sikur nuk është mjaftuar me këtë nismë “ndryshe” nga ç’është pa e dëgjuar në skenën teatrale vendore, ka sjellur një emër të shquar të saj – teatrologun e regjisorin Fadil Hysaj – për të vënë në skenë njërën nga veprat monumentale të letërsisë botërore, “Fausti”, vepër kjo kolosale e më të madhit autor gjerman, e nga më të mëdhenjtë e mbarë letërsisë botërore, Johan Wolfgan Gëte.
“Jashtëzakonisht të lumtur që tashmë, në Teatrin e Gjilanit, kanë filluar provat e para me një koproduksion mes tri teatrove; Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren dhe Teatri i Gjilanit. “Fausti”, një shfaqje nga Fadil Hysaj, bazuar në “Fausti” e Gëtes e të Marlosë, do të jetë premiera e radhës e cila edhe do të hap Festivalin e Dramës Origjinale Shqipe, në janar të vitit 2023, për të vazhduar me reprizat e saj në Gjilan, Prishtinë, Prizren, Shkup e Tiranë”, thuhet në njoftimin e publikuar.
E mobilizimi i Teatrit të Qytetit të Gjilanit për të sendërtuar dhe realizuar skenikisht këtë vepër monumentale të letërsisë botërore, sikur paralajmëron një repertor ambicioz me prurje interesante në Manifestimin Tradicional “Flaka e Janarit”, në shtyllën teatrale, “Talia e Flakës 2023”.
Se si regjisori Hysaj do ta mbarështroj e adaptoj e sjëllë para audiencës që të korrespodoj me realitetin shqiptar një dramë të një autori të huaj në festivalin e Dramës Kombëtare Shqipe, mbetet të shihet në vet premierën e saj.
E që synimet e nikoqirit, në këtë rast Teatrit të Qytetit të Gjilanit janë ambicioze, flet qartë mobilizimi për të përrfshirë kastën e aktorëve me emra të shquar të skenës sonë, madje të përzgjedhur nga tri teatro. Porse, një gjë është më se e sigurtë: koha prej rreth një muaji e ca më shumë deri në hapje të siparit të edicionit të ri të festivalit të dramës “Talia e Flakës 2023”, imponon domosdonë e intensifikimit maksimal të aktiviteteve e provave deri në finalizim të kësaj vepre ambicioze.