Tradita shekullore që u kushton beduinëve të Katarit qindra mijëra euro
Çdo ditë, Sulltan Bin Naser Al-Humaidi del nga shtëpia përpara perëndimit të diellit dhe stërvit skifterin e tij në shkretëtirën e Doha-s.
Ky për vendasit është një sport tradicional që daton mijëra vjet më parë, i përhapur mes beduinëve, një grup fisesh nomade arabe.
43-vjeçari nga Katari ka pesë skifterë dhe gjashtë ditë në javë ai i stërvit për të kapur rosa dhe pëllumba të gjallë, si pjesë e një tradite familjare. Skifterin e tij të parë, Bin Naser Al-Humaidi e mori kur ishte 11 vjeç.
“Kam qenë i rrethuar me skifterë që kur kam lindur, kjo është një traditë që e kemi trashëguar nga gjyshërit tanë. Etërit dhe gjyshërit tanë nga ana e tyre e trashëguan nga gjyshërit e tyre. Dashuria për skifterët është diçka e rrënjosur thellë te ne, i kemi pasur mes nesh që kur ishim fëmijë. Tani ata janë si fëmijët tanë.”
Sulltan Bin Naser Al-Humaidi
Megjithatë, ky është një sport i shtrenjtë. Përpos kostove për të rritur skifterët, të zotët e tyre duhet të lëvizin nëpër shkretëtirën shkëmbore me Land Cruisers 4 x 4 të gjeneratës së fundit, ndërkohë që grabitqarët e qiellit ndjekin pretë e tyre.
Al-Humaidi tregon se skifterët vijnë nga rajone të ndryshme, disa janë stërvitur në ferma në Evropë, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe disa në Iran.
Skifteri më i shtrenjtë që Al-Humaidi ka parë është shitur deri në 800 mijë rijalë (201.808 euro). /A2cnn/