Kongresi i drejtshkrimit dhe sfidat e tij – 50 vjetё pas
Variant i shkurtuar i kumtesës nё Konferencёn shkencore “Njё komb – njё gjuhё”, mbajtur nё Institutin Albanologjik tё Prishtinёs.
Nga: Prof. dr. Bahtijar Kryeziu
“Jam kundër qëndrimeve ekstreme të atyre që thonë se s’ka nevojë për ndryshim, por edhe kundër atyre që mendojnë se ndryshimet duhet të shkojnë thellë”
Akademik Seit Mansaku
Këtë nëntor shqiptarët shënojnë dhe festojnë dy jubile të mëdhenj të kombit: 110-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit. Derisa jubileu i parë shënon 110 vjetët e kaluara të një vendi të vogël e me sfida të mëdha, me shumë të arritura por dhe me gjysmën e popullsisë jashtë kufijve të vet, jubileu i dytë, ai për të cilin edhe jemi mbledhur sot këtu, shënon një datë tjetër të shqiptarëve dhe për shqiptarët, atë të drejtshkrimit të përbashkët për të gjithë shqipfolësit, kudo që ata jetojnë. Andaj, Kongresi i Drejtshkrimit (1972) ishte dhe mbetet një ngjarje madhore, jo vetëm në jetën shkencore e kulturore, por edhe historike, e bashkimit shpirtëror e kulturor e gjithë kombit tonë – krahas Kongresit të Manastirit (1908). Me këtë u dëshmua dhe një herë se shqiptarët, ashtu si dhe popujt e tjerë të Europës së civilizuar, kanë historinë, gjuhën dhe kulturën e tyre dhe se “nuk janë një konglomerat primitivësh që i flasin 100 dialekte e nuk merren vesh njëri me tjetrin”.
Rëndësia e këtij Kongresi dhe vendimet e tij, të nxjerrë para gjysmë shekulli, dëshmojnë, me gjithë forcë, të arriturat e pakontestueshme në ngulitjen dhe zbatimin e normës gjuhësore, sidomos të asaj të shkruar, gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Përdorimi i këtij standardi: në administratë, në shkolla, në universitete, në medie elektronike e të shkruara, në botimet e dhjetëra gazetave e revistave, të qindra e mijëra librave, është një fakt që dëshmon për rrënjët e thella që ka lëshuar ky standard në truallin e shqipes dhe përtej tij. Edhe shkollimi i mijëra e mijëra nxënësve, studentëve e të kuadrove të tjera, i dhjetëra e qindra të huajve që edhe sot ngarendin të mësojnë e përvetësojnë standardin e kësaj gjuhe, nuk mund të mos merren si argumente të fuqishme për statusin që gëzon shqipja dhe jehonën që ka standardi i saj.
Vendimet e drejta të Kongresit të ‘72-shit, për një gjuhë të njësuar të përbashkët, i vulosi edhe përurimi i Abetares së përbashkët, që u bë: në Prizren, më 23 tetor 2011, e sivjet në Gjakovë, më 1 shtator, kurse në Tiranë, më 11 shtator, për fat të keq jo edhe në trojet e tjera shqiptare..
Debatet e zhvilluara, sidomos në këta tre dhjetëvjetëshat e fundit, përkitazi me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, duhet parë si një shtytje përpara për standardin gjuhësor. Nuk na ka takuar të gjejmë në përfundimet e ndonjë tubimi shkencor, ku temë diskutimi të ketë qenë gjuha – standardi i saj, e të kërkohej një pluricentrizëm: tё kërkohen dy, tre apo më shumë standarde të shqipes (me përjashtim të ndonjë “analisti të pavarur”, kryesisht në medie, i tipit “migjeno-matoshian” të cilët, krahas konvertimit të popullsisë së Kosovës në “komb kosovar”, shpikin dhe një gjuhë tjetër, “gjuhën kosovare”, që na kujton “zbulimet” e dikurshme të dijes serbe për “albanski jezik” në Shqipëri dhe “shiptarski a shiftarski jezik” në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare që dikur ishin nën Jugosllavi, ose edhe formim standardesh në baza dialektore).
Emërues i përbashkët i të gjitha diskutimeve në nivelet më të larta shkencore, gjithnjë ka qenë
mbështetja e një standardi gjuhësor për të gjithë shqiptarët, me mundësi plotësimi e përmirësimi të tij. Në këtë hulli ishin edhe mbajtja e konferencave shkencore (Tiranë, 1992, 1997, 2002), ajo e Durrësit, e dhjetorit 2010, takimi ndoshta më serioz që nga viti ‘72, kushtuar normës gjuhësore, për mbajtjen e së cilës pati edhe dilema e dyshime të mëdha, siç ishin shprehur publikisht atëbotë 40 personalitete, ndër të cilët edhe akademik Shaban Demiraj, Ismail Kadare, prof. Xhevat Lloshi, prof. Emil Lafe etj.
Frika e zhbërjes së standardit të shqipes, mbështetur në punën që bënte Këshilli Ndërakademik, para do kohësh, ndjehet edhe te disa specialistë e gjuhëtarë të shquar, si p.sh. profesor Rami Memushaj, i cili, duke vlerësuar punën e Këshillit Ndërakademik të datës 26-28 qershor të vitit 2012, përkitazi me standardin gjuhësor, ka thënë: “Ndryshimet e miratuara nga Këshilli Ndërakademik shkojnë larg. Ato… gërryejnë themelet e drejtshkrimit e të drejtshqiptimit të gjuhës standarde…”.
Ndaj këtij Këshilli, në mënyrën më të ashpër atë verë pati reaguar edhe njëri ndër ekspertët më të njohur të drejtshkrimit të shqipes, profesor Emil Lafe, i cili, Akademisë së Shkencave dhe Këshillit Ndërakademik u drejtoi edhe dy promemorie, saqë në një vend ai shprehej: “Këshilli Ndërakademik është një sajesë me synime të paracaktuara, për të realizuar “orientimet” e ASHAK-ut për gjuhën standarde, që çojnë deri në përçarje gjuhësore”.
Anëtarët e Këshilli Ndërakademik, me gjithë kritikat që i janë bërë e po i bëhen këtij Këshilli, mohojnë shembjen e standardit aktual. Akad. Jani Thomai shpjegon se “ky Këshill, diskuton në rrafshin shkencor çështjet që ai mendon se duhen diskutuar, porse s’mund të “përmbysë” vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit (1972), qëndrim të cilin e mbante edhe akademiku tjetër, Kolec Topalli, kur thotë: “Nuk bëhet fjalë për të ndryshuar standardin, nuk bëhet fjalë për të krijuar një standard të ri, nuk bëhet fjalë që të ketë Kosova një standard e ne një tjetër. Jo! Ky do të ishte gabimi më i madh”.
Sikurse shoqëria jonë që ka ndryshuar shumë në harkun kohor 50-vjeçar, edhe gjuha ka ndryshuar mjaft, kështu që ndonjë përmirësim e plotësim eventual, që nuk do të lëkundte bazën e saj, mund të bëhet. Akademik Shaban Demirajt nuk e ka thënë me kot se “edhe për gjuhët që kanë tradita më të vjetra, shtrohet kërkesa për përmirë¬sime”, porse “këtë gjë nuk duhet ta bëjnë diletantët” – thotë gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare, në një intervistë për gazetën “Tirana observer”. Prandaj, mund të themi – PO, për plotësime e përmirësime të caktuara në pika të veçanta, por JO ndryshimeve rrënjësore sikundër propozonin disa, mendësisht më radikalë, si prof. Arshi Pipa, prof. David Luka, apo sot, prof. Primo Shllaku, prof. Mark Marku…, e në Kosovë Migjen Kelmendi, Matoshi e ndonjë tjetër dhe e gjithë kjo, na thotë mendja, “në dobi” të një variantizimi shumëgjuhësor.
Para se ta përmbyllim fjalën tonë, po shënojmë disa nga sfidat që e kanë përcjell gjuhën e njësuar letrare, që nga mbajtja e Kongresit e deri në ditët tona, si:
– Globalizimi gjuhësor si një proces i pashmangshëm botëror me të mirat dhe të këqijat që sjell;
– Ndikimi i medieve të folura e të shkruara, me gjuhën që përdorin;
– Qëndrimet (joparimore – do të thoshim ne) të disa intelektualëve ndaj Kongresit të Drejtshkrimit të shqipes dhe Rregullave drejtshkrimore të saj, siç përmendëm më sipër;
– Zbatimi gjithnjë e më tepër i teknologjisë së re në përditshmërinë tonë, jo dhe aq në tё mirë tё standardit tё shqipes; .
– Heqja e gjuhës shqipe nga plan-programet mësimore në shkollat e mesme;
– Tekstet e papërgatitura mirë gjuhësisht të shkollave tona;
– Përdorimi pa kriter i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe;
– Tabuizimi dhe variantizimi – si dy ekstreme (skajshmërisht) të papranueshme;
– Mungesa e lektorëve në administratë, në shtëpitë televizive, revista, portale të gazetave tona etj.
– Përgjegjësia dhe kujdesi i pamjaftueshëm ndaj gjuhës;
– Mungesa e gjyqit për mbrojtjen e gjuhës – siç e kanë gati të gjitha vendet Europës, madje edhe disa vende të Ballkanit etj.
Në fund po shtojmë se standardi i shqipes, me gjithë rrugëtimin e gjatë dhe sakrificat e shumta që ka pasur, ka arritur të pushtojë kohën dhe hapësirën dhe se ky standard, as tani e as në të ardhmen, as nuk duhet t’i përjashtojë e mohojë dialektet dhe prurjet e reja e plotësimet eventuale, as të krijohen “statuse të reja dialektore” nga ai; as të tabuizohet por as të copëzohet a rrënohet. Ai duhet të jetë një mjet njësimi, mjet bashkimi për kombin dhe kulturën tonë, të cilin mendim sa mirë e përligj një thënie e akademik Idriz Ajetit, kur thotë se “Gjuha letrare s’është vetëm thesar i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë sonë”..
Bataret e zbrazura këto vitet e fundit mbi këtë kështjellë, nga kundër standardistët, mund t’i dëmtojnë ndonjë tjegull a gur, që sigurisht se duhen rindrequr, por jo edhe t’i shembin muret e saj të forta – të betonuara për 50 vjet me radhë, me aq pasion nga të gjithë shqiptarët gjithandej ku jetojnë. Ndryshe, tentim-shembja e kësaj ngrehine, e këtij standardi, është qëndrim i keq për të ardhmen e shqipes, është në thelb ogurzi për të ardhmen e shqiptarisë. “Pa gjuhë nuk ka komb” – ka thënë dijetari e ideologu ynë i madh, Sami Frashëri.
Prishtinë, 23 nëntor 2022