Historia e arsimit shqip, njerëz – ngjarje – shkolla
Kongresi i Manastirit – në synorin e studiuesit Ragip Kçiku.
Fjalimi i Prof. dr. Bahtijar Kryeziu në përurimin e veprës së Ragip Kçiku.
Të nderuar pjesëmarrës, i nderuar z. Ragip Kçiku, Të nderuar përfaqësues të medieve:
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që sot këtu, në këtë mjedis të bukur me plot intelektualë: krijues, e njerëz të dijes e të shkencës – dashamirë të fjalës së shkruar, të shpërfaq para jush një fjalë modeste për një ngjarje të madhe e datë të rëndësishme të populli shqiptar, atë të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe të vitit 1908, që ka gjetur vend në veprën madhore “Historia e arsimit shqip (njerëz – ngjarje – shkolla)”, botuar jo moti nga Instituti Albanologjik i Prishtinës (2022).
Përzgjedhjen e kësaj teme bëra, nga ato 726 faqe të ngërthyera në librin i studiuesit të përkorë, Ragip Kçiku, i bindur se pena e këtij autori ka çapitur thellë në historinë e Alfabetit të shqipes, të paraqitur në librin e posa zënë në gojë, libër ky i rrallë ndër ne, nuk po them planetar.
Para 12 vitesh kisha në dorë një vepër tjetër të zotit Kçiku, një leksikon të termave gjuhësorë me titull “Fjalor i gjuhësisë”, Ferizaj, 2009, për një përurim rasti, edhe kjo vepër jo e shpeshtë ndër ne. Që atëherë kisha bindjen se fjala është për një studiues të zellshëm fushash të ndryshme, komplementare a të krahasueshme që konsiderohen një vlerë e shtuar e një studiuesi. Andaj, me gjithë obligimet që kam, bash këto ditë, nuk munda të mos përfill kërkesën e tij dhe lutjen e poetit e shkrimtari, mikut tonë të çmuar, Ramadan Mehmeti, që në këtë eveniment të mos them 2-3 fjalë për veprën që po përurojmë.
Përurimi i kësaj vepre po mbahet, kur shqiptarët, më shumë se herëve të tjera dhe të tjerët, po shënojnë e kremtojnë, jo vetëm një ngjarje të madhe politike: 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe atë të kulturës, shkencës e gjuhës shqipe: 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit (Tiranë 1972) dhe po kujtojnë, në forma të ndryshme (në medie e studime) edhe dy jubile të dy personaliteteve tona të shquara: atë të krijuesit, përkthyesit, poliglotit e demokratit tonë, Fan S. Noli, i cili në janarin e sivjetmë mbushi 140 vjet nga lindja e tij, dhe kur nxënësit e Arushanit kosovar, akademikut Idriz Ajeti, kujtojnë 105-vjetorin e lindjes së tij, pa të cilat figura kultura shqiptare e shqipja do të ishin më të varfra.
Nga ato ngjarje historike, ku mund të radhisim, pa dyshim, edhe Lidhjen e Prizrenit (1878), Pavarësinë e Kosovës (2008) , e data të tjera të rëndësishme, të cilat, si për nga misioni, ashtu edhe për nga rëndësia e tyre, njeriu e ka paksa vështirë të veçojë njërën nga tjetra, që me peshën e tyre dhe rolin që kanë pasur e kanë, i dhanë vulë historisë sonë. Ato janë ngjarje historike të mbarë kombit, të të gjithë shqiptarëve, kudo që ata jetojnë: në Shqipëri a në Kosovë, në Maqedoni a në Mal të Zi, në Serbi a në Greqi, në Turqi a në Itali, e deri në Amerikën e largët. Megjithëkëtë, ne këtë radhë kemi veçuar Kongresin e Manastirit të vitit 1908, të përvijuar me sens, nga zoti Ragip Kçiku, si rrallëkush që e bën këtë punë, në 74 faqet e librit të tij “Historia e arsimit shqip” (njerëz – ngjarje – shkolla).
Në preambulën e librit të tij, z. Kçiku, si hulumtues e studiues pasionant, që për 5 vjet u mor me këtë botim, siç na tha një ditë, shkruan se për këtë punë – për përgatitjen e veprës, ka pasur për mbështetje mendimet e njerëzve të dijes, në veçanti: Jashar Rexhepagiqin, Rexhep Ismajlin, Iliaz Gogajn, Fadil Rakën, Hajrullah Koliqin, Tomor Osmanin, Bajram Shatrin etj., por “Pa e nënçmuar kontributin e disa shkollave, personave dhe ngjarjeve, të cilët padyshim se kanë bërë apo dhënë aq sa kanë mundur apo sa i kanë lejuar rrethanat, si Zekirja Rexha, Qamil Bala, etj.” (f. 7).
Kçiku e fillon trajtimin e kësaj teme me një letër frymëzuese – patriotike të bektashianit, Shahin bej Kolonja (1865, ose 1867 – 1919), dërguar Ndre Mjedës, ku thuhet: “Cili asht ai Shqyptar patriot qi t’mos dojë bashkimin e Shqyptarëve përparimin e gjuhës përveç atyne të poshtërve qi punojnë për fitim për interesa e për kapriçiot e veta”. Ishte koha kur sundonin sulltanët turq, kur statusi i shqipes së asaj kohe ishte “rregulluar” “me një dekret të veçantë, ku gjuha shqipe ka qenë e ndaluar në arsimim e administratë… madje në kushtetutën e Perandorisë Osmane gjuha shqipe nuk ka figuruar si gjuhë e një populli…” – shkruan zoti Kçiku në librin e tij (f. 273).
Me rastin mbajtjes së Kongresit të Manastirit, Kçiku shpërfaq këtu një mendim të thellë të Faik Konicës, kur shprehet se “Jeta (kupto historia) nuk është si një drekë; që nuk munt çdo njeri qi shtrohet për gjellë t’a fshij tryezën”… “me kuptimin se tradita nuk guxon të fshihet si tryeza (pas ngrënies)” – përfundon autori.
Duke mbajtur parasysh gjithë atë problematikë të shtruar për këtë temë, vendin këtu, kohën dhe respektin që kemi ndaj këtij auditori dhe folësve të tjerë, ne do të pykëzohemi, ashtu kalimthi, te momentet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kongresin e Manastirit, e në aktivitetin e përkorë të zhvilluar deri në ditën e mbajtjes së Kongresit.
Përpjekjet dhe puna e madhe e intelektualëve shqiptarë për një alfabet të kodifikuar të shqipes e pastaj edhe për një shqipe të përbashkët, si synim paravajtës, datojnë që herët. Ndër ato nisma me peshë po përmendim:
– Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve që njihet si Anonimi i Elbasanit (1761) me autor Grigorin e Durrësit, i shkruar me një alfabet origjinal prej 40 germash;
– Alfabeti i Theodor Haxhi Filipit (1730-1805), një sistem grafik i ndërlikuar prej 52 germash që u përdor në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII;
– Alfabeti i Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim prej 154 faqesh, i shkruar me një alfabet origjinal prej 37 germash të ndikuara nga glagolishtja;
– Një alfabet tjetër i shekullit XVIII ose në fillimi të shekullit XIX nga Gjirokastra, me një sistem grafik prej 22 germash, por pak i përhapur; Alfabeti i Jani Vellarait (1771-1823), alfabet prej 30 germash të bazuara në latinishten dhe greqishten;
– Alfabeti i Naum Veqilharxhit (1797-1846) , prej 33 germash, i botuar në Abetaren e tij shqipe të vitit 1844 etj.
Po sjellim këtu edhe disa data, autorë veprash, shoqëri e revista që ishin vënë në shërbim të kauzës kombëtare e të gjuhës shqipe, të cilat momente i zë në gojë edhe z. Kçiku:
– Më 1867: K. Kristoforidhi, boton dy abetare të gjuhës shqipe.
– Më 1871: Zef Jubani boton librin “Përmbledhje këngësh popullore”.
– Më 1874: Jani Vreto shkruan poemën “Istori e Skënderbeut” dhe fillon mbledhjen e folklorit shqiptar, të shkruar me alfabetin grek.
– Më 1877: kemi Memorandumin e Janinës, Shkodrës, Prevezës, si dhe Mbledhja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), ku kërkohet autonomi për popullin shqiptar.
– Në këtë kohë, Thimi Mitko, boton përmbledhjen e këngëve popullore “Bleta shqiptare”.
– Më 1879: themelohet alfabeti i Stambollit i gjuhës shqipe “Alfabetare e Gjuhës shqip” – Konstandinopojë”.
– Më 1882: Petro Nini Luarasi propagandon shkrim-leximin në gjuhën shqipe.
– Më 1884: Fillon botimi i revistës “Drita” në Stamboll, më pas “Dituria”, si dhe në Bukuresht themelohet shoqëria “Drita” e cila ishte degë e asaj të Stambollit.
– Më 1886: në Bukuresht botohen dy vepra të Naim Frashërit e nga Sami Frashëri botohet vepra “Shkronjëtoria e gjuhës shqipe”.
– Më 1887: Në Korçë themelohet shkolla e parë laike shqipe, ndërsa një vit më vonë Nikolla Naço në Bukuresht fillon të botojë gazetën “Shqiptari”.
– Më 1890: Themelohet shoqëria patriotike “Dëshira” si dhe Naim Frashëri boton “Luletë e verësë” (Vepra f. 278-279) .
– Për historinë e alfabetit shqip sjell ndërmend edhe dy kongreset gjuhësore: i pari i mbajtur në Koriliano Kalabro, në vitin 1895, nën kryesinë e De Radës, në të cilin qe themeluar Shoqëria Kombëtare Shqiptare, e cila në statutin e saj kishte vendosur se duhet të “merreshin masa ekskluzivisht për ngulësimin e një alfabeti të vetëm”, kurse kongresi i dytë u mbajt në Lungro (Itali), më 1897, po me të njëjtin program gjuhësor si i pari.
Qëndrim parimor e fjalë të mira për popullin shqiptar e gjuhën dhe për një alfabet të shqipes, shpërfaqin edhe të huajt, si shkruesi i parë i “Historisë (më të vjetër) të Shqipërisë”, francezi Zhan Klod Favyrial, i cili në një vend thotë se shqiptarët janë “Njerëz vërtet të bukur” (f. 274); kurse ish-konsulli i Janinës, A(ntigon) Dozoni, thotë: ”Në pikëpamje fonetike shqipja ka pasuri dhe larmi që superon (mbisundon) tej mase gjuhën e Aristofanit, e sa fajtor është kleri grek që e ka injoruar dhe vazhdon ta evitojë kulturën që shpreh kjo gjuhë aq e bukur” – përmend Kçiku në librin e tij f. 274. Sakaq serbi Dositej Obradoviq (1739 ose 1743 – 1811), në atë kohë shkruan: “Gjuha e tyre është e thjeshtë, e për këtë arsye mund të mësohet fare lehtë; edhe shkruhet me shkronja tona, sikur të ishin krijuar për te….” – thënë me prapavijë, besojmë ne.
Edhe albanologët e huaj, duke mos pasur shqipja një alfabet unik, sajuan nga një alfabet të vetin, si: Majeri, Hahni, Françesko Maria (i Leçes), Libnici, Bopi, Dozoni, Ksilindari, Pederseni etj.
Me gjithë rrethanat jo dhe aq të favorshme, me ardhjen e xhonturqve të rinj në pushtet, hetohej një frymë¬marrje më e shlirshme e shqiptarëve në fushën e arsimit e të kulturës për atë kohë. Andaj edhe mbajtja e Kongresit (nga data 14-22 nëntor 1908), me iniciativën e klubit “Bashkimi” të Manastirit, nuk ka se si të mos lidhet me rrethanat e sapokrijuara. Në Kongres ishin mbledhur 50, nga të cilët 32 me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete, shoqëri dhe klube, përfaqësues të fesë: myslimane, katolike, ortodokse, protestante, njerëz të ditur dhe për një qëllimi të madh kombëtar – atë të alfabetit tonë. Kishte aty intelektualë e patriotë shqiptarë edhe nga Turqia, Italia, Greqia, Rumania, Egjipti, Amerika etj., ku kryetar i Kongresit u zgjodh njëri nga bijtë Frashëri – Mithat Frashëri, kurse sekretare e komisionit intelektualja Parashqevi Qiriazi, që së bashku me motrën Sevasti, ishin mësueset e para të gjuhës shqipe në shkollën e vashave të Korçës.
Kryereferatin e mbajti, siç dihet, Gjergj Fishta, i cili me fjalët e tij: “S’kam ardhur që të mbroj asnjë alfabet, por të mbroj një alfabet të përbashkët”, tregoi se nuk kishte ardhur për të përçarë por për të bashkuar delegatët për alfabetin e shqipes – qëndrim ky sa burrëror e patriotik, po aq edhe largpamës.
Kongresi, pos që vendosi që gjuha shqipe të përdorë dy alfabete: alfabetin e Stambollit (i cili nuk i përballoi dot kohës) dhe atë me shkronja latine, që u përgjigjen 36 fonemave të shqipes (pa u marrë parasysh udhëzimet e albanologut të madh danez, Holger Pedersen, që çdo shkronjë të shënojë një tingull e jo të ketë shkronja bigrame), nxori edhe vendimin shumë të rëndësishëm, që pas dy vjetësh të mbahej një kongres tjetër (si Kongres i Janinës, Kongresi i Shkupit, Kongresi II i Elbasanit, që s’arritën të mbahen për shkak të ngjarjeve politike).
Arsyet e hartimit të një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe për të gjithë shqiptarët ishin të shumta dhe të domosdoshme, ndër të cilat po veçojmë:
– Nevoja e paraqitjes së popullit shqiptar para botës si një popull i vetëm me një alfabet e gjuhë të vetme me identitetet të plotë të tij;
– Me miratimin e një alfabeti mënjanoheshin edhe pengesat e komunikimit normal midis shqiptarëve dhe mospajtimet eventuale mes tyre;
– Me një alfabet të tillë krijohej mundësia e shtypjes së materialeve në gjuhën shqipe në të gjitha shtypshkronjat e shteteve të Evropës Perëndimore;
– Me këtë alfabet (latin) shqiptarët dëshmohen si një popull properëndimor e jo popull i kthyer nga lindja e pansllavizmit;
– Që mungesa e një alfabeti mos të jetë shkas i mosnjohjes së Shqipërisë si shtet i pavarur, siç i kishte ngjarë delegacionit shqiptar në Kongresin e Berlinit (1878), edhe pse shqipja atëbotë kishte jo një, por 150 alfabete (për 353 vjet – thotë profesori shkodran, Dr. Tomor Osmani), që mund të përzgjidheshin dhe zbatoheshin;
– Se fundja, alfabeti latin ishte në vazhdën e traditës më të hershme që kishte ndjekur vetë shkrimi i gjuhës shqipe, si: “Formula e pagëzimit” (1462), “Me¬sha¬ri” i Gjon Buzukut (1555), veprat e L. Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit etj., me gjithë përdorimet edhe të disa varianteve e alfabeteve të tjerë.
Përpjekjet për një gjuhë dhe alfabet të përnjësuar me shkronja latine, shpesh ishin bërë shkas i shpërthimit të dhunës së fanatikëve greko-osman ndaj intelektualëve dhe militantëve shqiptarë:
– Beratasit Babë Dudës (1842 – 1917), bashkëpunëtor Kristoforidhit, më 1895 ia djegin shtëpinë;
– Petro Nino Luarasi (1865-1911), mësues, drejtor shkollash, delegat i Kongresit, u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit dhe vdis i helmuar prej tyre në Ersk.
– Pandeli Sotiri (1843-1892), i sigurt nga torturat që do t’i bënin njerëzit e kishës greke, për punën e tij rreth abetares shqipe, hidhet nga kati i tretë i banesës në Stamboll dhe përfundon jetën e tij më 1890.
– Më 1905 vritet Mësuesi e patrioti, Papa Kristo Negovani, vit kur edhe mbahet Kongresi shqiptar i Bukureshtit.
– Priftit ortodoks, Stathi Melanit, dashamirit të librit shqip dhe shkollës shqipe, tri herë ia djegin shtëpinë dhe librat shqip, gjersa më 24 dhjetor 1917, banda kusare e Josif Surupullosit, ia prenë kokën. Dhe jo vetëm kaq:
– Drejtori i shkollës së Vlorës, Loni Naçi, largohet nga Shqipëria, nga frika e vrasjes. Koto Hoxhi, internohet në kështjellën e Bosforit etj.
Vetë Sami Frashëri, duke ndjerë mizoritë turko-greke, shpreh habinë: “Është për t’u çuditur, qysh ka rrojtur gjerë më sot kombi shqiptarë, duke mos shkruar e duke mos kënduar gjuhën e re, kur janë humbur kaq kombe, që shkruanin e këndonin gjuhën e tyre. Siç janë syrjanët, kaldënjasit, latinët e të tjerë”.
Me gjithë barbarizmin e paparë të ushtruar nga regjimet turke, greke, e sllave, deri në zhdukjen e shqiptarëve, nga faqja e dheut, shqiptarët, si rrallë ndonjë popull, jo në Europë, por edhe në botë, arritën të mbijetojnë dhe sot të kenë dy shtete dhe një alfabet e një gjuhë të përbashkët.
Për Kongresin e Alfabetit të gjuhës shqipe – si pikënisje dhe themel i të gjitha të arriturave kombëtare, siç shihet edhe nga vepra” Historia e arsimit shqip (njerëz – ngjarje – shkolla)”, lëndë aq thellë e lëruar dhe e begatë, me të dhëna nga literatura e shumtë dhe hulumtimet arkivore, të autorit Ragip Kçiku, që rrallë i kemi ndeshur deri tani, përveç fjalës së gjuhëtarëve e historianëve, letra¬rëve e politikanëve, vjershëruan poetë e kënduan edhe rapsodë, nga të cilët, me një strofë të një kënge, të një rapsodi anamoravas, po e përmbyllim këtë shkrim tonin:
“Lëshoi kushtrimin, o, Manastiri,
Për gjithë bijtë e shqiptarisë –
Gjithë kah jemi n’këtë trung Iliri,
T’ia ndërrojmë faqet, o, historisë!”
(Demir Krasniqi, “Kur nuk shuhet Manastiri”),
E urata jonë do të ishte: Ashtu qoftë përgjithmonë!
Ju faleminderit për durim!
Ferizaj, 15 nëntor 2022