Ish-kryeprokurori Dërguti reagon pas publikimit të aferës: Së shpejti kthehem në Kosovë dhe menjëherë do të paraqitem para organeve të hetuesisë
Ish-kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, ka reaguar pas publikimit në media të një afere korruptive, ku i përfshirë edhe ai dhe dy persona të tjerë.
Përmes një reagimi publik, Dërguti ka thënë se është i gatshëm për të bashkëpunuar me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime, në mënyrë që të zbardhet e vërteta, e cila sipas tij, është ndryshe nga ajo që është paraqitur në media.
“Ne këto dy ditët e fundit nga mediumi Kallxo.com, janë publikuar emisione me video incizime e fotografi, në të cilat kam qenë i përfshirë edhe unë, e të cilat janë marr në mënyrë të pa autorizuar!”, ka thënë ai, në një komunikatë për media të mërkurën.
“Duke e kuptuar ndjeshmërinë e rastit dhe i vetëdijshëm për përcepcionin e krijuar në publik pas këtyre publikimeve, ndjej për obligim që të ofrojë gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të sqaruar çdo sekuencë lidhur me këto publikime, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e kësaj çështje, e vërtetë kjo e cila është krejtësisht ndryshe nga ajo çfarë është tentuar të paraqitet!”.
Tutje, ish-kryeprokurori Dërguti ka thënë se aktualisht gjendet jashtë vendit për vizitë lidhur me disa kontrolla mjekësore të paracaktuara me herët, dhe sapo t’i përfundojë ato do të kthehet në Kosovë e të paraqitet vullnetarisht para organeve të rendit.
“Sapo të përfundojë kontrollet mjekësore, dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur do të kthehem në Kosovë, ku do të paraqitem vullnetarisht, menjëherë para organeve kompetente ligjzbatuese, me qëllim të sqarimit dhe ballafaqimit kundër të gjitha pretendimeve të ngritura ndaj meje dhe në emër timin, në përmbajtjen e këtij emisioni, dhe me qëllim që e vërteta të zbardhet deri në fund”.
Dërguti, në pamjet e publikuara nga kallxo.com dëgjohet në disa audio-incizime se si i jep premtime një biznesmeni të quajtur Sali Dakaj se do t’i ndihmoj që një lëndë të përfundoj në favor të tij.
Në takime janë të pranishëm edhe dy persona, Liridon Fanda dhe Hasan Morina, të cilët pretendohet se në emër të Haxhi Dërgutit ia morën biznesmenit Dakaj 150 mijë euro.
Vetë Dërguti, në një video-incizim të më vonshëm nuk e pranon t’i ketë marrë këto para.
Ai ka hezituar të takohet me Fandën e Morinën, të cilët përdorën emrin e tij për t’ia marrë paratë Dakajt.
“Të lutem veç edhe një fjalë, ti më ke dëgjua kur kam thanë “Pashë Zotin mos më merrni në qafë. Në qoftë se nuk kryhet puna ma mirë kthemini paret pa ardhur vendimi. A kam thanë kështu? Po kam thanë. O vallahi Salih edhe unë kam thanë, kurrë s’të kom premtua, s’të kom thanë 100% që ta kryej punën. Pasha qet ujë, e pasha qet Zot nuk e kom ditë që është puna kështu, se kurrë në këtë punë nuk isha taku”, ka deklaruar Sali Dakaj – Biznesmen.
E Haxhi Dërguti, për disa vite udhëhoqi me një prej Prokurorive më të rëndësishme në vend.
Mediumi kallxo.com do të publikoj edhe një pjesë tjetër të këtyre përgjimeve, ku përmendet edhe emri i ish-kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.