20-vjetori i Tifozëve Kuq e Zi, “ndizet” Sheshi Skënderbej
Tifozët Kuq e Zi festuan 20-vjetorin e themelimit me një organizim të mrekullueshëm në Sheshin “Skënderbej”.
Bashkëshoqëruesit më besnikë të kombëtares shqiptare të futbollit në dy dekadat e fundit, në mbrëmjen e tyre jubilare organizuan një koncert festiv, duke kurorëzuar në mënyrën më të mirë suksesin e grupimit të tyre.
Përvjetori përkoi edhe me kualifikimin e Kombëtares së Shqipërisë në Euro 2024 dhe për këtë arsye festa pati përmasa edhe më të mëdha.
Festa nisi me një prezantim të shkurtër rreth rrugëtimit 20-vjeçar të Tifozëve Kuq e Zi dhe më pas u përcoll një fjalë edhe nga ana e themeluesve të grupimit.
Këngëtarë të shquar dhe që kanë dhënë shumë kontribut në Shqipëri gjatë viteve të fundit si Ilir Shaqiri, Enkelejda Arifi, Hysni Alushi, Selami Kolonja, Nikollë Nikprelaj, Fisnik Ismaili dhe Capital T i dhanë më tepër emocione festës në sheshin “Skënderbej”.
Festa ishte e hapur për të gjithë, jo vetëm për anëtarët aktivë dhe anëtarët ndër vite të Tifozëve Kuq e Zi, por edhe për cdo shqiptar që e ndien veten pjesë të kombëtares kuqezi.
Rrugëtimi i Tifozëve Kuq e Zi nuk do të ndalet me kaq, pasi ata do të vijojnë të jenë në mbështetje të pandërprerë të Shqipërisë dhe në stacionin e radhës të Euro 2024 pritet një tjetër uragan kuqezi në suport të skuadrës së Sylvinhos në evenimentin më të rëndësishëm kontinental./ss